Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gezim Sveçla, ka pretenduar se KfW po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga projekti i zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, për shkak të, siç ka thënë ai, keqmenaxhimit në ndërmarrjen publike Termokos.
Sipas Sveçlës, javën e kaluar KfW-ja e ka njoftuar Bordin e Drejtorëve të Termokosit se është duke shqyrtuar tërheqjen nga projekti, duke e arsyetuar këtë me mënyrën e menaxhimit të ndërmarrjes.
“Si duket, tashmë edhe partnerëve tanë gjermanë, që për vite me radhë kanë dhënë mbështetje financiare dhe teknike për Termokosin, u është bërë i padurueshëm keqmenaxhimi dhe papërgjegjësia që po ndodh në këtë ndërmarrje”, ka shkruar ai.
Sveçla ka thënë se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Bordin e Drejtorëve të Termokosit, por edhe mbi kryetarin e Prishtinës, të cilin e akuzon për përgjegjësi politike dhe institucionale mbi funksionimin e ndërmarrjes.
Ai ka pretenduar se rrezikimi i projektit të zgjerimit të ngrohjes qendrore, vënia në pikëpyetje e bashkëpunimit me KfW-në dhe humbja e besimit të partnerit gjerman janë pasojë e “një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe korruptive”, e cila, sipas tij, po dëmton interesin publik të qytetarëve të Prishtinës. /Kujdestari.info



