Rezervat aktuale të ujit në dy akumulimet kryesore të vendit garantojnë furnizim të qëndrueshëm deri në fund të vitit 2026, megjithatë autoritetet bëjnë thirrje për përdorim racional të ujit për të ruajtur këtë siguri.
Sipas të dhënave të publikuara, niveli i ujit në liqenin e Badocit është rreth dy metra nën nivelin maksimal të mbushjes, ndërsa në liqenin e Batllavës 1.69 metra nën kapacitetin maksimal.
Bazuar në rezervat ekzistuese dhe menaxhimin e tyre, këto sasi konsiderohen të mjaftueshme për të garantuar furnizimin me ujë deri në fund të vitit 2026. Megjithatë, theksohet se kjo varet në masë të madhe nga mënyra se si uji do të përdoret gjatë muajve të ardhshëm.
Për këtë arsye, konsumatorëve u bëhet thirrje që ta shfrytëzojnë ujin me përgjegjësi dhe vetëm për nevojat e domosdoshme, duke shmangur keqpërdorimin, kontrolluar rrjedhjet dhe reduktuar shpenzimet e panevojshme.
Sipas njoftimit, qëndrueshmëria e furnizimit me ujë nuk varet vetëm nga rezervat në akumulime, por edhe nga sjellja e konsumatorëve.
“Çdo pikë uji e kursyer sot kontribuon në sigurinë e furnizimit nesër”, thuhet në apelin drejtuar qytetarëve. /Zëri



