Home / Lajme / Rajoni / Thatësira godet prodhimin, Shqipëria blen 110 mijë MWh energji për 16.2 milionë euro

Thatësira godet prodhimin, Shqipëria blen 110 mijë MWh energji për 16.2 milionë euro

Thatësira dhe temperaturat e larta kanë rritur konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të rikthehet në treg për të siguruar energjinë e nevojshme për furnizimin e vendit.

Në dy ankande të zhvilluara ditët e fundit, KESH ka blerë rreth 110 mijë MWh energji elektrike, për të siguruar furnizimin deri më 30 shtator 2026. Sipas raportimit të TV1 Channel, vlera e energjisë së blerë ka arritur në 16.2 milionë euro, ndërsa çmimi më i lartë i regjistruar ka qenë 169 euro/MWh.

Gjatë vitit 2026, KESH ka zhvilluar deri tani vetëm tre ankande për blerjen e energjisë, ndërsa vlera e importeve ka arritur në rreth 57.7 milionë euro.

Rritja e nevojës për importe lidhet kryesisht me kushtet e pafavorshme hidrike. Sistemi energjetik i Shqipërisë vazhdon të mbështetet në masë të madhe te hidrocentralet, ndaj periudhat e thata ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin vendas dhe në nevojën për energji nga tregjet e jashtme, përcjell Energy Monitor.

Situata është e ndryshme nga muajt e parë të vitit. Deri në qershor, prodhimi i lartë vendas, i ndihmuar nga reshjet dhe prodhimi i hidrocentraleve, i kishte mundësuar KESH-it të shiste energji në vend të blerjes së saj.

Kalimi brenda pak muajsh nga shitësi në blerës tregon edhe një herë ndikimin e madh që kushtet hidrike kanë mbi sistemin energjetik shqiptar dhe kostot e furnizimit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com