Home / Lajme / Ndërkombëtare / Kapaciteti i energjisë diellore në Kinë tejkalojnë për herë të parë atë të qymyrit

Kapaciteti i energjisë diellore në Kinë tejkalojnë për herë të parë atë të qymyrit

Energjia fotovoltaike bëhet burimi më i madh i energjisë elektrike në Kinë për nga kapaciteti i instaluar.

Kapaciteti i energjisë diellore në Kinë tejkaloi për herë të parë kapacitetin e energjisë së prodhuar nga termocentralet me qymyr, duke shënuar një moment të rëndësishëm në tranzicionin e vendit drejt energjisë më të pastër, transmeton Anadolu.

Kapaciteti i energjisë diellore arriti në 1.286 miliardë kilovat në fund të korrikut, duke tejkaluar lehtë kapacitetin e termocentraleve me qymyr prej 1.285 miliardë kilovatësh, sipas të dhënave të Administratës Kombëtare të Energjisë së Kinës, të raportuara nga agjencia shtetërore Xinhua.

Si rrjedhojë, energjia diellore është bërë burimi më i madh i energjisë elektrike në Kinë për nga kapaciteti i instaluar.

Centralet diellore të centralizuara përbënin 704 milionë kilovatë të kapacitetit total, ndërsa sistemet fotovoltaike të shpërndara përbënin 582 milionë kilovatë.

“Ky është një moment historik në tranzicionin e Kinës drejt energjisë së gjelbër dhe me emetime të ulëta të karbonit”, tha Liu Zhiqiang, ekspert në Këshillin Kinez të Energjisë Elektrike.

Kapaciteti total i instaluar i prodhimit të energjisë në Kinë arriti në 4,08 miliardë kilovatë në fund të korrikut, ndërsa energjia diellore përbënte më shumë se 30 për qind të totalit.

Vendi shtoi 193,97 milionë kilovatë kapacitet të ri prodhues gjatë shtatë muajve të parë të vitit. Energjia diellore përbënte 85,65 milionë kilovatë, ose më shumë se 40 për qind të kapacitetit të ri të instaluar.

Megjithatë, kapaciteti i instaluar nuk përkon drejtpërdrejt me prodhimin e energjisë elektrike, pasi prodhimi diellor ndikohet nga orët me dritë dhe kushtet atmosferike.

Impiantet fotovoltaike prodhuan 802,4 miliardë kilovat-orë energji elektrike nga janari deri në korrik, ekuivalente me rreth 13 për qind të konsumit total të energjisë elektrike në Kinë.

Prandaj, energjia e prodhuar nga qymyri pritet të mbetet një burim kyç i energjisë elektrike të qëndrueshme dhe të kontribuojë në stabilitetin e rrjetit në afat të shkurtër.

Kina furnizon më shumë se 80 për qind të moduleve fotovoltaike në botë dhe rreth 70 për qind të pajisjeve të energjisë së erës, sipas Xinhua.

/aa.com.tr

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com