Maqedonia e Veriut po përshpejton zhvillimin e infrastrukturës së gazit, me synimin për të diversifikuar furnizimin dhe për t’u pozicionuar si një korridor i rëndësishëm energjetik në rajon.
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, tha se projektet strategjike të gazit mbeten prioritet, pas takimit me Bordin e ri Drejtues dhe Mbikëqyrës të operatorit të transmetimit NOMAGAS.
Sipas saj, përshpejtimi i gazifikimit dhe zhvillimi i interkonektorëve me vendet fqinje janë thelbësore për sigurinë energjetike të vendit, përcjell Energy Monitor.
Një hap i rëndësishëm është bërë tashmë me Serbinë. Në fund të gushtit u nënshkrua kontrata për projektimin dhe ndërtimin e interkonektorit të gazit, rreth 70 kilometra të gjatë, nga të cilat rreth 23 kilometra në territorin e Maqedonisë së Veriut. Segmenti maqedonas ka vlerë prej 29.4 milionë eurosh dhe projekti pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2028.
Në anën tjetër, po ndërtohet edhe interkonektori me Greqinë, i cili pritet të hyjë në operim në vitin 2027. Përmes tij, Maqedonia e Veriut do të lidhet me infrastrukturën greke dhe me burime të reja furnizimi, përfshirë gazin e lëngshëm natyror (LNG).
Dy projektet janë pjesë e një zhvillimi më të gjerë që synon integrimin e Maqedonisë së Veriut në Korridorin Vertikal të Gazit, duke krijuar një rrugë të re veri–jug nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë dhe më tej tregjeve të Evropës Qendrore. Maqedonia e Veriut pritet të formalizojë pjesëmarrjen në këtë iniciativë gjatë shtatorit, përcjell Energy Monitor.
Energy Monitor ka raportuar më herët për të dyja projektet dhe për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në Korridorin Vertikal të Gazit.



