Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Projektet energjetike rajonale marrin status prioritar, lejet mund të zgjasin deri në 42 muaj

Shqipëri: Projektet energjetike rajonale marrin status prioritar, lejet mund të zgjasin deri në 42 muaj

Shqipëria ka miratuar rregulla të reja për zhvillimin e projekteve të infrastrukturës energjetike rajonale dhe transevropiane, duke u dhënë atyre status të veçantë në procedurat e planifikimit, lejeve dhe zhvillimit. Rregullat vlejnë për projektet me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI) dhe projektet me interes të ndërsjellë (PMI), të cilat lidhen me infrastrukturën energjetike ndërkufitare.

Vendimi nr. 650, i miratuar më 27 gusht 2026 dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare, përcakton se procesi i lejeve ndahet në dy faza. Procedurat para aplikimit mund të zgjasin deri në 24 muaj, ndërsa procedura ligjore, nga pranimi i dokumentacionit deri te vendimi përfundimtar, nuk duhet të kalojë 18 muaj.

Në total, të dyja fazat nuk duhet të zgjasin më shumë se 42 muaj, me mundësi zgjatjeje deri në nëntë muaj në raste të veçanta, përcjell Energy Monitor.

Projektet e përfshira në listën e Komunitetit të Energjisë do të konsiderohen çështje me rëndësi kombëtare në procedurat e planifikimit dhe zhvillimit të territorit. Kjo përfshin lejet e zhvillimit dhe ndërtimit, si dhe procedurat e vlerësimit mjedisor. Edhe procedurat gjyqësore dhe ankimet që lidhen me këto projekte do të trajtohen me karakter urgjent.

Ministria përgjegjëse për energjinë do të shërbejë si autoritet kombëtar për koordinimin dhe lehtësimin e procedurave. Edhe në rast se kompetenca të caktuara delegohen te institucione të tjera, duhet të ketë vetëm një autoritet përgjegjës për secilin projekt, i cili do të shërbejë si pikë e vetme kontakti për zhvilluesin.

Vendimi përcakton gjithashtu kërkesa për konsultimin publik dhe kriteret për përfshirjen e projekteve në listat PECI dhe PMI. Ndër kriteret kryesore janë përfitimet ndërkufitare të projektit dhe përfshirja e të paktën dy palëve kontraktuese ose ndikimi i konsiderueshëm në më shumë se një vend, përcjell Energy Monitor.

Projektet e përzgjedhura duhet të përfshihen në planet rajonale të investimeve dhe në planet kombëtare dhjetëvjeçare të zhvillimit të rrjetit, duke marrë prioritetin më të lartë të mundshëm. Ato mund të përfitojnë gjithashtu nga asistenca teknike dhe financiare e Bashkimit Evropian përmes instrumenteve IPA dhe NDICI.

Energy Monitor ka raportuar më herët për projektet shqiptare që janë propozuar në kuadër të listës PECI 2026, përfshirë zgjerimin e hidrocentralit me pompim në Moglicë, projektin e ri të interkoneksionit 400 kV Shqipëri–Kosovë dhe rehabilitimin e linjës që lidh Trebinjën, Peruçicën, Podgoricën dhe Vaun e Dejës.

Rregullat e reja janë përafruar me Rregulloren e BE-së 2022/869 për infrastrukturën energjetike transevropiane, duke krijuar një kuadër të posaçëm për projekte që synojnë forcimin e rrjeteve, sigurinë e furnizimit dhe integrimin e tregjeve energjetike në rajon.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com