Home / Lajme / Mjedisi / Inaugurohet Laboratori i Inovacionit të Gjelbër në Universitetin e Prizrenit

Inaugurohet Laboratori i Inovacionit të Gjelbër në Universitetin e Prizrenit

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren është inauguruar Laboratori i Inovacionit të Gjelbër, një hapësirë e re akademike dhe kërkimore që synon të mbështesë zhvillimin e aftësive, kërkimit dhe inovacionit në fushën e tranzicionit të gjelbër dhe mbrojtjes së mjedisit.

Laboratori është themeluar në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, përmes bashkëpunimit mes Universitetit të Prizrenit, CARE Deutschland e.V. dhe EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Iniciativë për tranzicion të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti”, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Laboratori do të shërbejë si hapësirë për trajnime praktike, kërkim shkencor dhe edukim mjedisor, ndërsa synohet edhe zhvillimi i moduleve të reja akademike dhe integrimi gradual i aktiviteteve të laboratorit në programet mësimore.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit do t’u kushtohet studentëve dhe të rinjve, të cilët do të kenë mundësi të zhvillojnë projekte dhe zgjidhje të lidhura me ndryshimet klimatike, ekonominë qarkore, tranzicionin e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit, përcjell Energy Monitor.

Laboratori synon gjithashtu të krijojë një urë bashkëpunimi mes universitetit, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë që punojnë në fushën e tranzicionit të gjelbër. Projekti Green Horizons ka përfshirë edhe aktivitete për forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në veprime lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe ekonominë qarkore.

Laboratori në Prizren është pjesë e një qasjeje më të gjerë për ta lidhur arsimin dhe kërkimin me nevojat praktike të tranzicionit të gjelbër në Kosovë. OECD e ka identifikuar atë si një nga komponentët kryesorë të projektit Green Horizons për zhvillimin e aftësive të gjelbra, kërkimit të aplikuar dhe bashkëpunimit mes akademisë dhe komunitetit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com