Bashkimi Evropian mund të duhet ta ulë konsumin e gazit me rreth 7% gjatë dimrit 2026–2027, për shkak të rezervave të ulëta dhe kostos së lartë të sigurimit të furnizimeve shtesë. Vlerësimi vjen nga Instituti për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA), i cili paralajmëron se kontinenti po hyn në sezonin e ngrohjes me më pak rezerva sesa në këtë periudhë të çdo vjeshte që nga viti 2011.
Sipas raportit të publikuar më 9 tetor, rezervat e gazit në BE ishin të mbushura në nivelin 72,4% më 3 tetor. Instituti vlerëson se magazinimi mund të furnizojë tregun me 7,3 miliardë metra kub më pak gaz gjatë periudhës nëntor–mars krahasuar me dimrin e kaluar, njofton Energy Monitor.
Bashkë me ndalimin e plotë të importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus nga janari 2027, kjo mund të kërkojë uljen e konsumit me rreth 14 miliardë metra kub, ose 7% në terma vjetorë.
IEEFA thekson se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se rezervat do të shterojnë gjatë dimrit. Megjithatë, kur nivelet e magazinimit bien, gazi mund të tërhiqet më ngadalë, duke e bërë më të vështirë plotësimin e kërkesës gjatë një periudhe të ftohtë në fund të sezonit. Rezervat e ulëta në pranverë do të kërkonin gjithashtu më shumë importe për rimbushjen e magazinave gjatë verës.
Sipas vlerësimit të institutit, mbulimi i mungesës përmes importeve shtesë, në vend të uljes së konsumit, do t’i kushtonte BE-së rreth 3 miliardë euro. Kjo është afërsisht 12% më shumë sesa do të kushtonte sigurimi i të njëjtit vëllim një vit më parë, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit në kontekstin e luftës SHBA–Iran dhe ndërprerjeve të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për tregtinë globale të LNG-së, përcjell Energy Monitor.
Presioni mbi furnizimin reflektohet edhe në treg. Kontratat e ardhshme të gazit në pikën referuese holandeze TTF arritën në 84,5 euro për megavat-orë në mesin e shtatorit, niveli më i lartë që nga viti 2022, sipas Euronews. Ndërkohë, operatorët evropianë të rrjeteve të gazit kanë paralajmëruar se një dimër i ashpër mund ta vështirësojë më tej balancimin e furnizimit dhe kërkesës.
IEEFA argumenton se zgjerimi i magazinimit nuk është zgjidhja e vetme dhe se investimet në energjinë e ripërtëritshme, pompat e nxehtësisë, elektrifikimin industrial dhe efiçiencën e energjisë mund ta ulin kërkesën gjatë dimrit.
Sipas institutit, këto masa do të reduktonin presionin mbi rezervat dhe ekspozimin e Evropës ndaj luhatjeve të çmimeve dhe ndërprerjeve të furnizimit.



