Tregtia botërore e mallrave pritet të rritet me ritme dy herë më të shpejta nga sa parashikohej më parë, e nxitur nga investimet në inteligjencën artificiale, të cilat po kompensojnë një pjesë të goditjes që konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar në ekonominë globale.
Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) e rriti parashikimin për zgjerimin e tregtisë së mallrave në 3.9% për vitin 2026, nga 1.9% që vlerësonte në mars, sipas raportit të publikuar më 8 tetor.
Përmirësimi vjen pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë dhe ndërprerjeve në transportin ndërkombëtar, ndërsa kërkesa për gjysmëpërçues, serverë dhe pajisje të tjera teknologjike po mbështet flukset tregtare.
Tregtia e produkteve të lidhura me inteligjencën artificiale u rrit me 67% gjatë gjashtëmujorit të parë, duke kontribuar në pothuajse gjysmën e zgjerimit të tregtisë globale të mallrave në vlerë.
Megjithatë, ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po ndihet veçanërisht në sektorin e shërbimeve. OBT uli parashikimin për rritjen e tregtisë së shërbimeve në 3.3%, nga 4.8%, për shkak të kostove më të larta të transportit dhe dobësimit të turizmit ndërkombëtar.
Përfitimet nga rritja e tregtisë mbeten të pabarabarta. Eksportet e mallrave nga Azia pritet të zgjerohen me 9.9% këtë vit, ndërsa ato të Europës parashikohet të tkurren lehtë, me 0.1%. Në Lindjen e Mesme, eksportet pritet të bien me 17.2%, duke reflektuar pasojat e konfliktit.
Për vitin 2027, OBT pret që tregtia globale e mallrave të përshpejtohet më tej, me një rritje prej 4.1%, ndërsa tregtia e shërbimeve parashikohet të zgjerohet me 6.4%.
Perspektiva mbetet megjithatë e brishtë. Çmimet e larta të energjisë dhe një ngadalësim i mundshëm i investimeve në inteligjencën artificiale mund të dobësojnë ritmin e tregtisë botërore, e cila po mbështetet gjithnjë e më shumë te sektori teknologjik.
/monitor.al



