Home / Lajme / Tjera / Ulet nga 500 në 300 euro kufiri i pagesave cash mes bizneseve në Kosovë

Ulet nga 500 në 300 euro kufiri i pagesave cash mes bizneseve në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Kosova ka ulur nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve, me qëllim të parandalimit të financimit të paligjshëm dhe rritjes së gjurmueshmërisë së transaksioneve financiare.

Murati i bëri këto deklarata në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Financave në kuadër të Procesit të Berlinit, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.

Ai tha se pagesat me para të gatshme mund të jenë të vështira për t’u gjurmuar dhe, për këtë arsye, mund të shfrytëzohen për financim të paligjshëm.

“Një nga mënyrat më të thjeshta për të vepruar, një masë që mund të zbatohej relativisht lehtë, ishte trajtimi i çështjes së pagesave me para të gatshme. Këto pagesa zakonisht nuk mund të gjurmohen, ose gjurmimi i tyre është i vështirë, dhe ato mund të përdoren për financim të paligjshëm”, tha Murati.

Ai bëri të ditur se për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kufiri i pagesave me para të gatshme është 2.000 euro, ndërsa pagesat mbi këtë shumë duhet të realizohen përmes transaksioneve të gjurmueshme në institucione financiare të licencuara në Kosovë.

Murati përmendi edhe zhvillimet në fushën e rregullimit të operatorëve të këmbimit që përdorin kriptovaluta, duke theksuar se Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë hapa për t’i vënë ata nën kontroll dhe për t’i licencuar.

Sipas tij, këto masa mund të kontribuojnë në digjitalizimin dhe transparencën e transaksioneve, si dhe në forcimin e konkurrencës së ndershme dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik.

Megjithatë, ministri theksoi se luftimi i financimit të paligjshëm kërkon bashkëpunim ndërmjet shteteve, pasi paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të kalojnë lehtësisht përtej kufijve.

Integriteti financiar dhe bashkëpunimi rajonal kundër flukseve të paligjshme

Ndërkohë, Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, tha se integriteti financiar është thelbësor për ndërtimin e ekonomive të besueshme, mbrojtjen e burimeve publike dhe krijimin e kushteve për konkurrencë të drejtë ndërmjet bizneseve.

Sipas tij, integriteti financiar ndihmon në mbrojtjen e sistemeve ekonomike nga pastrimi i parave, korrupsioni dhe flukset e paligjshme financiare.

Çobaj vlerësoi se Procesi i Berlinit ofron një platformë për bashkëpunimin rajonal dhe për zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta në luftimin e këtyre dukurive.

“Integriteti financiar është më shumë sesa një çështje teknike. Ai është një domosdoshmëri ekonomike dhe e sigurisë, si dhe parakusht për të ardhmen evropiane që synojmë të ndërtojmë”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, theksoi rëndësinë e transparencës, inovacionit dhe partneritetit në luftimin e flukseve të paligjshme financiare.

Ajo tha se institucionet duhet të mbyllin zbrazëtitë ligjore që mundësojnë fshehjen e pronësisë së kompanive, të përdorin teknologjinë për identifikimin e parregullsive dhe të forcojnë shkëmbimin e informacioneve ndërmjet institucioneve dhe shteteve, raporton EO.

Bellmann veçoi tri fusha kryesore për luftimin e këtyre flukseve: transparencën mbi pronësinë përfituese, përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për identifikimin e parregullsive, si dhe bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën për shkëmbim më të fuqishëm të informacioneve përtej kufijve, me qëllim të identifikimit dhe gjurmimit të rrjeteve kriminale. /Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com