Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria shton 138 MW fotovoltaikë në gjashtëmujorin e parë

Shqipëria shton 138 MW fotovoltaikë në gjashtëmujorin e parë

Rreth 138 MW kapacitete të reja fotovoltaike kanë hyrë në prodhim në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), deri në fund të qershorit janë vënë në punë tetë centrale të reja, të lidhura me rrjetin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes.

Pjesën më të madhe të kapaciteteve e përbëjnë dy impiante të lidhura me rrjetin e transmetimit, me fuqi të kombinuar prej 125 MW. Parku “GreeNat Solar Park Ballsh” ka kapacitet prej 100 MW, ndërsa centrali “Power Energy” shton 25 MW. Deri në fund të qershorit, të dyja kanë prodhuar gjithsej rreth 56,314 MWh energji elektrike.

Gjashtë centrale të tjera, të lidhura me rrjetin e shpërndarjes, shtojnë 13 MW kapacitete të reja. Pesë prej tyre kanë fuqi nga 2 MW secili, ndërsa centrali i shoqërisë “DESLA” ka kapacitet prej 3 MW.

Me shtimin e këtyre impianteve, kapaciteti i instaluar fotovoltaik në Shqipëri ka arritur në 667.93 MW deri në fund të qershorit 2026.

Zgjerimi i kapaciteteve diellore po rrit peshën e kësaj teknologjie në sistemin elektroenergjetik, ndërsa prodhimi i centraleve të reja do të varet edhe nga kushtet e rrezatimit diellor dhe periudha e operimit gjatë vitit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com