Home / Lajme / Kosova / Perr: Siguria dhe çmimi i energjisë ndikojnë në vendimet e investitorëve në Kosovë

Perr: Siguria dhe çmimi i energjisë ndikojnë në vendimet e investitorëve në Kosovë

Siguria e furnizimit, çmimet e energjisë dhe qasja në burime të pastra janë faktorë kyç për konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë. Këto çështje u diskutuan në panelin “Energjia dhe qendrat e të dhënave të IA-së”, të mbajtur në kuadër të Samitit të Ballkanit në Prishtinë.

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, tha se investitorët e shqyrtojnë stabilitetin e sektorit energjetik, sigurinë e furnizimit dhe çmimet përpara se të vendosin se ku do t’i zhvillojnë projektet e tyre.

Ai theksoi se rëndësi të veçantë ka edhe burimi i energjisë, veçanërisht në kushtet kur Bashkimi Evropian po zbaton Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), i cili ndikon në konkurrueshmërinë e produkteve me intensitet të lartë të emetimeve, përcjell Energy Monitor.

“Çfarë burimesh të energjisë janë në dispozicion në vendin ku dëshironi të investoni” është, sipas Perrit, një nga pyetjet që investitorët duhet ta marrin parasysh, krahas sigurisë së furnizimit dhe çmimeve.

Perri paralajmëroi gjithashtu se energjia nuk është vetëm çështje e konkurrueshmërisë ekonomike, por ndikon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien e qytetarëve. Ai përmendi rritjen e çmimeve të energjisë në Evropë si faktor që mund të shkaktojë pakënaqësi sociale.

Sipas tij, BE-ja e konsideron energjinë një nga sektorët kryesorë për investime në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të angazhimit për afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Duke folur për Kosovën, Perri tha se aktualisht po instalohen filtra në termocentralin Kosova B. Ai theksoi se largimi nga qymyri kërkon kohë, duke nënvizuar sfidën e balancimit të tranzicionit energjetik me nevojën për furnizim të qëndrueshëm.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com