Home / Lajme / Mjedisi / Prishtina krijon Taskforcën e Gjelbër për hartëzimin e parqeve dhe drunjve

Prishtina krijon Taskforcën e Gjelbër për hartëzimin e parqeve dhe drunjve

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me organizatën FLOSSK dhe ndërmarrjen publike “Gjelbër”, po krijon një Taskforcë të Gjelbër, përmes së cilës synon të përfshijë qytetarët në identifikimin, hartëzimin dhe inventarizimin e hapësirave të gjelbra, parqeve dhe drunjve të kryeqytetit.

Nisma do të zhvillohet përmes katër sesioneve, gjatë të cilave pjesëmarrësit do të trajnohen dhe do të dalin në terren për të mbledhur dhe verifikuar të dhëna. Informacionet e mbledhura do të përdoren për krijimin e një inventari digjital dhe të një platforme Web GIS, që do t’i ndihmojë Komunës në planifikimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së gjelbër.

Sesioni i parë, më 31 tetor, do t’i kushtohet trajnimit dhe përgatitjes, ndërsa më 1 nëntor do të zhvillohet hartëzimi në terren. Më 7 nëntor është planifikuar hartëzimi dhe inventarizimi pilot i drunjve, kurse më 14 nëntor do të bëhet plotësimi dhe verifikimi i të dhënave, njofton Energy Monitor.

Organizatorët u bëjnë thirrje studentëve, profesionistëve, entuziastëve të teknologjisë dhe qytetarëve të interesuar që të bëhen pjesë e nismës. Pjesëmarrësit do të mësojnë përdorimin e programeve QGIS dhe Mergin Maps, si dhe teknikat e mbledhjes së të dhënave gjeohapësinore. Përvoja paraprake në sistemet e informacionit gjeografik (GIS) nuk është e domosdoshme.

Për pesë vullnetarët më aktivë gjatë katër aktiviteteve është paraparë një shpërblim prej 100 eurosh për secilin, në formën e kuponëve nga GiftCart.

Sipas organizatorëve, synimi është që Taskforca të vazhdojë të kontribuojë në monitorimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e hapësirave të gjelbra edhe pas përfundimit të aktiviteteve të hartëzimit.

Nisma është pjesë e programit City Experiment Fund, i mbështetur nga Ministria e Financave e Sllovakisë dhe i zbatuar nga UNDP-ja në partneritet me Komunën e Prishtinës.

Të interesuarit mund të regjistrohen përmes formularit: https://forms.gle/MqcnBDSXCrrG6zbZ8

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com