Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, ka njoftuar se do të largohet nga detyra më 7 shkurt 2027, rreth 9 muaj para përfundimit të mandatit të saj.
Vendimi është bërë i ditur të enjten, më 29 tetor, përmes një komunikate zyrtare të BQE-së dhe një postimi të Lagardes në platformën X, transmeton KosovaPress.
Lagarde ka informuar Këshillin Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, për vendimin e saj.
“Sapo i informova kolegët e mi se do të largohem nga posti i presidentes së BQE-së më 7 shkurt 2027. Ka qenë një burim krenarie të madhe të shërbej në këtë institucion. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi në 7 vitet e fundit”, ka thënë ajo.
BQE-ja ka konfirmuar se Këshilli Drejtues e ka falënderuar Lagarden për kontributin e saj, duke e përcjellë njoftimin me duartrokitje të gjata në këmbë.
Lagarde mori drejtimin e institucionit më 1 nëntor 2019, duke pasuar Mario Draghin. Mandati i saj 8-vjeçar ishte paraparë të përfundonte më 31 tetor 2027.
Arsyet e largimit të parakohshëm nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka konfirmuar se është informuar për vendimin e Lagardes dhe ka falënderuar atë për udhëheqjen e institucionit gjatë një periudhe të karakterizuar nga kriza të shumta ekonomike.
Ai ka përmendur pandeminë, luftën në Evropë, krizat energjetike dhe goditjet inflacioniste si disa nga sfidat me të cilat është përballur Banka Qendrore Evropiane gjatë mandatit të saj.
Costa ka bërë të ditur se procedura për përzgjedhjen e pasardhësit do të nisë menjëherë, me synim sigurimin e një kalimi të rregullt të drejtimit të institucionit.
Presidenti i ardhshëm i BQE-së do të emërohet nga Këshilli Evropian, sipas procedurës së përcaktuar në nenin 283 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.
Para drejtimit të BQE-së, Lagarde kishte shërbyer si drejtoreshë menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ministre e Financave e Francës.
Banka Qendrore Evropiane është institucioni përgjegjës për politikën monetare të eurozonës, përfshirë përcaktimin e normave bazë të interesit, të cilat ndikojnë në kushtet e huamarrjes dhe aktivitetin ekonomik. /KosovaPress



