Home / Lajme / Tjera / Oda e Inxhinierëve dhe KOSTT-i nënshkruajnë memorandum për standardet në sektorin energjetik

Oda e Inxhinierëve dhe KOSTT-i nënshkruajnë memorandum për standardet në sektorin energjetik

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, me synimin për të avancuar standardet profesionale dhe teknike në sektorin energjetik.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i OIRK-së, Arsim Rapuca, dhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava.

Sipas njoftimit të Odës, bashkëpunimi parasheh promovimin e standardeve profesionale dhe teknike, si dhe rritjen e cilësisë dhe sigurisë në projektimin, ndërtimin dhe mbikëqyrjen e infrastrukturës energjetike, përcjell Energy Monitor.

Një nga fushat e parapara është edhe angazhimi i inxhinierëve të licencuar në projektet infrastrukturore. Memorandumi përfshin gjithashtu Edukimin e Vazhdueshëm Profesional përmes trajnimeve, seminareve teknike dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve.

OIRK ka thënë se marrëveshja synon të fuqizojë rolin e inxhinierëve dhe të kontribuojë në zhvillimin e një infrastrukture energjetike më të sigurt dhe cilësore. Njoftimi, megjithatë, nuk specifikon projekte konkrete, afate të zbatimit apo angazhime financiare nga palët.

Oda e Inxhinierëve ka trajtuar më herët edhe çështjen e standardizimit të shërbimeve profesionale. Në shkurt, Kuvendi i saj miratoi një rezolutë për çmimet mesatare të ndërtimit dhe përcaktimin e çmimeve minimale për shërbimet inxhinierike dhe arkitektonike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com