Home / Lajme / Tjera / Oda Ekonomike e Kosovës hap regjistrimin për trajnim profesional për menaxherë të tregut të energjisë elektrike

Oda Ekonomike e Kosovës hap regjistrimin për trajnim profesional për menaxherë të tregut të energjisë elektrike

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka hapur aplikimin për programin e trajnimit profesional “Menaxher i Tregut të Energjisë Elektrike”, i cili synon të zhvillojë njohuritë dhe aftësitë e profesionistëve në menaxhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike.

Programi përfshin gjithsej 80 orë trajnim dhe trajton tema që lidhen me funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe kuadrin rregullator, tregtimin dhe bursat energjetike, përfshirë ALPEX-in, si dhe menaxhimin e furnizimit, kontratave dhe portofolit energjetik.

Pjesë e programit janë edhe analiza financiare, parashikimi i çmimeve, menaxhimi i rrezikut, menaxhimi strategjik dhe tranzicioni energjetik, përcjell Energy Monitor.

Sipas njoftimit të Odës, trajnimi u dedikohet menaxherëve dhe specialistëve të sektorit energjetik, furnizuesve dhe tregtarëve të energjisë, përfaqësuesve të industrisë dhe bizneseve, si dhe të diplomuarve e profesionistëve që synojnë të zhvillojnë karrierën në këtë sektor.

Ligjëruesit do të jenë ekspertë të energjisë elektrike dhe tregut energjetik, ndërsa pjesëmarrësit që përfundojnë programin do të pajisen me certifikatë. Trajnimi do të mbahet në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës, ndërsa fillimi është paraparë pas formimit të grupit të pjesëmarrësve, njofton Energy Monitor.

OEK nuk ka bërë të ditur një datë konkrete për fillimin e trajnimit. Aplikimi bëhet përmes formularit online të publikuar nga Oda, ndërsa vendet janë të kufizuara.

Nisma vjen në një periudhë kur tregu i energjisë elektrike në Kosovë po kalon nëpër ndryshime të rëndësishme, me zgjerimin e tregtimit në ALPEX dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të hapur të energjisë.

/Energy monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com