Përmes projektit EREA, agrobizneset në Kosovë kanë testuar masa konkrete për të zvogëluar konsumin e energjisë dhe ujit, duke dëshmuar se përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike mund të sjellë edhe përfitime ekonomike.
Në Rahovec, ferma Malësia ka zëvendësuar sistemin e tharjes së bimëve me pelet me një sistem që shfrytëzon energjinë diellore. Modeli i ri mundëson tharjen e bimëve me energji të pastër, me kosto më të ulëta dhe pa emetime të drejtpërdrejta të CO₂ nga djegia e peletit.
Sipas të dhënave të projektit, konsumi i peletit është ulur nga 3,500 kilogramë në zero, duke shmangur deri në 1,400 kilogramë emetime të CO₂ dhe duke rritur pavarësinë energjetike të fermës, përcjell Energy Monitor.
“Modeli i ri siguron tharjen e plotë të bimëve me energji të pastër diellore dhe kosto të ulët, pa emetime të dioksidit të karbonit. Procesi i tharjes është përmirësuar përmes ngrohjes së ngadaltë dhe uniforme”, thotë Shkëlqim Morina nga Malësia Farm në Rahovec.
Ndërkohë, në Viti, kompania GRASEP ka pilotuar një sistem të këmbimit të nxehtësisë, përmes të cilit uji i nxehtë riciklohet dhe ripërdoret në procesin e pasterizimit. Kjo ka mundësuar uljen e ndjeshme të konsumit të ujit të pijshëm.
“Uji është një nga resurset kryesore në industrinë tonë. Vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit kemi arritur të kursejmë 140 mijë litra ujë, pa rrezikuar cilësinë dhe sigurinë e produktit përfundimtar”, thotë Dorart Ajeti, drejtor menaxhues i GRASEP, raporton Energy Monitor.
Sipas të dhënave të projektit, sistemi ka mundësuar kursim prej 95% të ujit krahasuar me konsumin e mëparshëm.
Të dy modelet tregojnë se investimet në teknologji dhe zgjidhje të përshtatjes klimatike mund të ulin shpenzimet operative, të kursejnë resurset dhe të rrisin qëndrueshmërinë e agrobizneseve.
Projekti EREA zbatohet nga Caritas Switzerland në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.



