Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Getoar Mjeku, ka kërkuar zgjidhje për kufizimet në kapacitetet ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë takimit ministror të Grupit për Ndërlidhjen Energjetike të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC), të mbajtur në Zagreb.
Mjeku tha se në takim i ka njoftuar komisionerin evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, dhe ministrat pjesëmarrës për kostot dhe ngarkesat që, sipas tij, po i shkaktohen Kosovës dhe rajonit nga mosvënia në dispozicion e kapaciteteve ndërkufitare nga ana e Serbisë.
Ai iu referua edhe konstatimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë se Serbia nuk po i përmbush detyrimet e saj sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për këtë çështje, përcjell Energy Monitor.
Mjeku bëri të ditur se në emër të Kosovës ka nënshkruar edhe memorandumin për anëtarësimin e Çekisë dhe Polonisë në CESEC, nismë e mbështetur nga Bashkimi Evropian që nga viti 2015.
Mjeku bëri të ditur se gjatë takimit ka diskutuar edhe për reformat në sektorin energjetik dhe projektet e linjave të reja të interkoneksionit elektrik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat synojnë forcimin e lidhjeve rajonale dhe rritjen e kapaciteteve për shkëmbimin e energjisë.
Takimi i 6 nëntorit në Zagreb shënoi edhe zgjerimin e CESEC-ut me Çekinë dhe Poloninë, të cilat u mirëpritën zyrtarisht si anëtare të reja të nismës.



