Më shumë se 400 mijë sisteme të vogla solare të instaluara në ballkone janë regjistruar në Gjermani, duke e bërë këtë teknologji një nga format gjithnjë e më të përhapura të prodhimit të energjisë elektrike për vetëkonsum nga familjet.
Të njohura si “ballkone solare”, këto sisteme përbëhen zakonisht nga një ose dy panele fotovoltaike që lidhen përmes një inverteri në instalimin elektrik të banesës. Ato janë më të vogla se sistemet tradicionale në çati dhe mund të instalohen më lehtë, pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha në objekt.
Interesimi për këtë teknologji lidhet kryesisht me mundësinë që edhe banorët e ndërtesave kolektive, të cilët nuk kanë qasje në çati për instalimin e paneleve, të prodhojnë një pjesë të energjisë që konsumojnë dhe të ulin faturat e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të publikuara në Gjermani, North Rhine-Westphalia prin me mbi 80 mijë sisteme të tilla, e ndjekur nga Bavaria me rreth 60 mijë dhe Saksonia me rreth 50 mijë, përcjell Energy Monitor.
Përhapja e tyre është mbështetur edhe nga politikat nxitëse. Në disa rajone dhe qytete gjermane janë ofruar subvencione për blerjen e pajisjeve, ndërsa në Berlin mbështetja ka arritur deri në 500 euro.
Sistemet mund të pajisen edhe me bateri të vogla për ruajtjen e energjisë së prodhuar gjatë ditës, në mënyrë që ajo të përdoret në orët e mbrëmjes. Aplikacionet përkatëse mundësojnë gjithashtu monitorimin e prodhimit dhe konsumit.
Sipas SolarPower Europe, përhapja e sistemeve të tilla është pjesë e një tendence më të gjerë në Evropë për shfrytëzimin e hapësirave ekzistuese urbane për prodhimin e energjisë diellore. Krahas Gjermanisë, vende si Austria, Franca, Italia, Polonia dhe Luksemburgu kanë krijuar kushte më lehtësuese për përdorimin e tyre.
Megjithatë, rregullat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, kryesisht për shkak të kërkesave për sigurinë elektrike, regjistrimin dhe lidhjen me rrjetin.
Edhe pse prodhimi i tyre është dukshëm më i vogël se ai i sistemeve fotovoltaike në çati, panelet e ballkoneve paraqesin një mundësi shtesë për përfshirjen e familjeve në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.



