Home / Lajme / Tjera / SHBA miraton planin, do të dërgojë 1 milion satelitë të dhënash në hapësirë

SHBA miraton planin, do të dërgojë 1 milion satelitë të dhënash në hapësirë

Rregullatorët amerikanë i kanë dhënë kompanisë SpaceX miratimin për të lëshuar një milion satelitë në orbitën e Tokës, me qëllim ndërtimin e qendrave të të dhënave në hapësirë. Ky është miratimi i parë i këtij lloji.

Kompania, në pronësi të Elon Musk, dëshiron të përdorë energjinë e dritës së diellit për të furnizuar me energji satelitët, të cilët do të përpunojnë të dhëna për inteligjencën artificiale (AI) dhe më pas do t’i dërgojnë rezultatet përsëri në Tokë.

Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) deklaroi të mërkurën se projekti, i njohur me emrin Starmind, do të “mbështesë ekonominë amerikane në lulëzim, të bazuar në superinteligjencën”.

Miratimi vjen në një kohë kur komunitete të shumta në të gjithë SHBA-në kanë kundërshtuar zgjerimin e qendrave të të dhënave në tokë.

SpaceX beson se këto “qendra orbitale të të dhënave” janë mënyra më ekonomike dhe më efikase nga pikëpamja energjetike për të përmbushur kërkesën gjithnjë në rritje për fuqi kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), një kërkesë që tashmë tejkalon “kapacitetet tokësore”.

Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, deklaroi se ky projekt “hap një horizont të ri dhe ambicioz për infrastrukturën kompjuterike të nevojshme për të fuqizuar lidershipin dhe rritjen e Amerikës”.

“Ky është lloji i zgjuarsisë dhe inovacionit amerikan që mund të bashkojë pikat tona të forta në hapësirë dhe teknologjinë e avancuar, të përforcojë lidershipin tonë ekonomik dhe të zgjerojë mirëqenien këtu në vend”, tha Carr.

Duke reaguar ndaj këtij njoftimi, Musk shkroi në platformën X:

“Ju falenderoj shumë. Ky do të jetë një aset i madh për Amerikën dhe për gjithë botën”.

Sipas licencës së FCC-së, vendosja e satelitëve në orbitë duhet të nisë jo më vonë se nëntori i vitit 2033. SpaceX do të jetë e detyruar të ketë vendosur 10% të satelitëve deri në nëntor 2035, ndërsa deri në nëntor 2038 duhet të ketë vendosur 50% të tyre.

Kompania ka deklaruar më parë se synon të lëshojë satelitin e parë Starmind vitin e ardhshëm.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të lëshohen realisht një milion satelitë apo nëse SpaceX ka kërkuar miratimin për një numër më të madh nga ai që synon të përdorë.

Ashtu si rrjeti aktual Starlink i SpaceX, i cili ofron internet me shpejtësi të lartë përmes më shumë se 10 mijë satelitëve, edhe satelitët Starmind do të funksionojnë në orbitën e ulët të Tokës, në lartësi që variojnë nga 500 deri në 2 000 kilometra.

Satelitët Starmind do të komunikojnë me satelitët Starlink dhe më pas do t’i transmetojnë të dhënat drejt Tokës.

Sistemi satelitor me energji diellore “premton ta afrojë njerëzimin më shumë drejt një qytetërimi të Tipit II sipas shkallës Kardashev, një qytetërim që mund të shfrytëzojë të gjithë fuqinë e Diellit”, thuhej në deklaratën e FCC-së.

Ky është një referim ndaj një qytetërimi hipotetik, koncept i propozuar nga një astronom në vitet 1960, i cili do të ishte në gjendje të shfrytëzonte të gjithë energjinë që prodhon ylli i tij.

Ideja e ndërtimit të qendrave të të dhënave në orbitë po shqyrtohet edhe nga kompani të tjera, përfshirë Google dhe Blue Origin. Ky koncept po paraqitet si një alternativë më ekologjike ndaj qendrave tradicionale të të dhënave, të cilat kërkojnë sasi gjigante energjie për të funksionuar dhe ujë për sistemet e ftohjes.

Përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale ka shkaktuar një rritje të jashtëzakonshme të sasisë së të dhënave që duhet të ruhen dhe përpunohen në mbarë botën.

Vazhdimisht po ndërtohen objekte të reja, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e hapësirave për vendosjen e tyre.

Qendrat e të dhënave janë struktura shumë të mëdha, që shtrihen në sipërfaqe të konsiderueshme, konsumojnë sasi të mëdha energjie dhe uji për ftohje. Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë banorë kundërshtojnë ndërtimin e tyre pranë zonave ku jetojnë.

Qendrat e të dhënave ishin një nga çështjet kryesore gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, në fillim të nëntorit, ku shumë kandidatë demokratë premtuan rregulla më të rrepta për ndërtimin e tyre.

Një ekspert i kishte thënë më parë BBC-së se dërgimi i pajisjeve në orbitë mbetet ende shumë i kushtueshëm dhe se infrastruktura e nevojshme për t’i mbrojtur, ftohur dhe furnizuar me energji ato mund të jetë mjaft komplekse.

Ndërkohë, rritja e sasisë së mbeturinave hapësinore përbën një rrezik për pajisjet fizike.

Një ekspert tjetër paralajmëroi se rritja e numrit të mjeteve hapësinore në orbitën e ulët të Tokës shton mundësinë e përplasjeve mes objekteve. Këto përplasje mund të dëmtojnë pajisjet ose të shkaktojnë rënien e materialeve përsëri në Tokë.

Starlink është akuzuar se po krijon mbingarkesë në hapësirë, një pretendim që Musk e mohon. Ai ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet se satelitët e tij po zënë shumë hapësirë dhe po kufizojnë mundësitë e konkurrentëve.

/BBC

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com