Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë euro ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës, për shkak të zhvillimit të aktiviteteve në deponinë e inerteve në Matiqan në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe atë për mbrojtjen e ujërave.
Sipas MMPH-së, inspektorati ka konstatuar se në këtë zonë janë kryer punime dhe depozitime të materialeve inerte pa dokumentacionin dhe lejet e nevojshme, përfshirë lejen ujore dhe procedurat tjera të parapara me ligj.
Ministria thekson se aktiviteti ka vazhduar pavarësisht vendimeve dhe urdhrave të mëhershëm të inspektoratit për ndërprerjen e punimeve.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka deklaruar se mbrojtja e mjedisit dhe pasurive ujore është obligim ligjor për të gjitha nivelet e qeverisjes, duke shtuar se ministria do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e ligjit dhe veprimet e inspektoratit për mbrojtjen e interesit publik dhe mjedisit.




