Home / Lajme / Mjedisi / Tetë shtete të BE-së kundërshtojnë shtyrjen e taksimit të karbonit për transportin dhe ngrohjen

Tetë shtete të BE-së kundërshtojnë shtyrjen e taksimit të karbonit për transportin dhe ngrohjen

Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian po kërkojnë që sistemi i ri i tregtimit të emetimeve, ETS2, të nisë në vitin 2028, duke kundërshtuar çdo shtyrje të mëtejshme të zbatimit të tij për karburantet e transportit dhe ato që përdoren për ngrohjen e ndërtesave.

Danimarka, Finlanda, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia i kanë kërkuar Komisionit Evropian të ruajë afatin aktual, duke argumentuar se vonesat do të dobësonin përpjekjet për të ulur varësinë e Evropës nga lëndët djegëse fosile dhe për të nxitur investimet në energji të pastër.

Në një letër drejtuar komisionerit evropian për Klimën, Wopke Hoekstra, më 23 nëntor, ministrat e këtyre vendeve kanë theksuar se varësia nga importi i naftës dhe gazit e ekspozon BE-në ndaj krizave gjeopolitike dhe luhatjeve të çmimeve. Sipas tyre, vendosja e një çmimi për emetimet e karbonit do të krijonte nxitje shtesë për kalimin drejt automjeteve elektrike, pompave të nxehtësisë dhe teknologjive të tjera me emetime më të ulëta, përcjell Energy Monitor.

Kërkesa vjen në kohën kur Polonia, Hungaria, Çekia dhe Italia po kërkojnë shtyrjen e mëtejshme të sistemit. Këto vende kanë shprehur shqetësime për ndikimin që kostot shtesë mund të kenë te qytetarët, veçanërisht te familjet që varen nga ngrohja me gaz ose lëndë të tjera fosile dhe te ata që përdorin automjete me benzinë e naftë.

Çfarë është ETS2 dhe si do të ndikojë te konsumatorët?

ETS2 është një sistem i ri i Bashkimit Evropian që do të vendosë një çmim për emetimet e dioksidit të karbonit nga karburantet e përdorura në transportin rrugor dhe ngrohjen e ndërtesave.

Në praktikë, kompanitë që furnizojnë tregun me benzinë, naftë, gaz natyror dhe lëndë të tjera djegëse do të duhet të blejnë leje për emetimet e karbonit që krijohen nga përdorimi i këtyre karburanteve. Kjo do të thotë se detyrimi fillestar nuk do të jetë drejtpërdrejt i qytetarëve, por i furnizuesve të karburanteve. Megjithatë, kostoja e lejeve pritet të bartet pjesërisht te konsumatorët përmes çmimeve më të larta të karburanteve dhe ngrohjes.

Kështu, sistemi synon ta bëjë përdorimin e lëndëve djegëse fosile gradualisht më të kushtueshëm në raport me alternativat me emetime më të ulëta, duke nxitur elektrifikimin e transportit dhe ngrohjes.

ETS2 duhet dalluar nga sistemi ekzistues ETS, i cili tashmë mbulon kryesisht termocentralet dhe industrinë me intensitet të lartë energjetik. Me sistemin e ri, çmimi i karbonit do të shtrihet edhe në sektorë që prekin drejtpërdrejt shpenzimet e përditshme të familjeve.

Sistemi fillimisht ishte planifikuar të niste në vitin 2027, por afati është shtyrë për vitin 2028. Objektivi është që deri më 2030 të reduktohen emetimet nga sektorët e mbuluar me 42 për qind krahasuar me nivelin e vitit 2005.

Tetë shtetet kërkojnë që Komisioni Evropian të mos e rihapë legjislacionin për një shtyrje tjetër, duke argumentuar se ruajtja e afatit është e rëndësishme për sigurinë rregullatore dhe për planifikimin e investimeve në teknologjitë e pastra.

Për të zbutur ndikimin te familjet me të ardhura më të ulëta, BE-ja ka paraparë edhe Fondin Social për Klimën, i cili synon të financojë mbështetjen për familjet dhe bizneset e vogla që mund të preken nga kostot shtesë të sistemit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com