Home / Highlights / FKEE po rinovon 16 institucione arsimore për një vjeshtë më efikase dhe të ngrohtë për nxënësit

FKEE po rinovon 16 institucione arsimore për një vjeshtë më efikase dhe të ngrohtë për nxënësit

Në 15 shkolla dhe një institucion parashkollor në Kosovë po zhvillohen punime intensive për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe energjetike, me qëllim që nxënësit të kthehen në ambiente më komode dhe efikase gjatë sezonit të ardhshëm shkollor.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë po zbaton masa të ndryshme të efiçiencës në këto objekte, të mbështetura nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndërhyrjet përfshijnë izolimin e jashtëm të mureve, izolimin e kulmeve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme, përmirësimin e sistemeve të ngrohjes dhe modernizimin e ndriçimit.

Këto masa synojnë jo vetëm përmirësimin e komoditetit për nxënësit dhe stafin, por edhe uljen e konsumit të energjisë dhe reduktimin e ndikimit mjedisor në afatgjatë. Përfitimet pritet të jenë të dukshme qysh nga fillimi i vjeshtës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në cilësinë e mjedisit të të nxënit.

FKEE ka theksuar përkushtimin që çdo projekt të realizohet sipas standardeve më të larta teknike dhe profesionale, duke kontribuar në mirëqenien e komunitetit dhe mbrojtjen e ambientit. Projekti është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të përmirësuar efiçiencën energjetike në objektet publike në të gjithë vendin.