Gjithsej 189 shtëpi në Kosovë pritet të përfitojnë nga masat e efiçiencës së energjisë deri në fund të këtij viti, në kuadër të projektit “Green Energy Future”, i financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se punimet për përmirësimin e performancës energjetike të shtëpive janë duke vazhduar, ndërsa masat përfshijnë izolimin e mureve të jashtme dhe çative, hidroizolimin e çative, si dhe zëvendësimin e dritareve dhe dyerve hyrëse.
Sipas Ministrisë, këto ndërhyrje pritet të ulin nevojat për ngrohje deri në 60%, duke reduktuar shpenzimet e familjeve dhe duke përmirësuar kushtet e banimit gjatë dimrit.
Si shembull të përfitimeve nga projekti, Ministria ka prezantuar familjen Maliqi nga Shtimja, e cila ka nëntë anëtarë. Familja shpenzon rreth 10 metra kub dru në vit, me një kosto prej afërsisht 500 eurosh, por arrin të ngrohë vetëm një të tretën e shtëpisë.
Përmes projektit, shtëpia e kësaj familjeje do të përfitojë nga izolimi i mureve dhe çatisë, hidroizolimi dhe ndërrimi i dritareve dhe derës hyrëse.
Projekti “Green Energy Future” financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet nga UNDP, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Ndërhyrjet në izolimin termik të ndërtesave konsiderohen ndër masat që mund të ulin konsumin e energjisë për ngrohje, duke zvogëluar humbjet e nxehtësisë përmes mureve, çatisë, dritareve dhe dyerve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për familjet që mbështeten në dru dhe burime të tjera të energjisë për ngrohjen e hapësirave të banimit.



