Me mbylljen më 20 maj 2026 të procesit të konsultimit publik për projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” në Shqipëri, drafti i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxitur reagime dhe rekomandime nga ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile mbi të ardhmen e tregut energjitik në vend.
Projektligji synon transformimin e sektorit përmes liberalizimit të tregut, rritjes së rolit të konsumatorit dhe integrimit me politikat energjitike të Bashkimit Europian, ndërsa shoqëria civile kërkon më shumë garanci për mbrojtjen sociale, transparencën dhe standardet mjedisore.
Procesi i konsultimit publik për projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, nisur më 22 prill 2026 dhe përfunduar më 20 maj 2026, ka nxitur një sërë reagimesh dhe komentesh nga organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e fushës. Në fokus të këtyre vlerësimeve qëndron nevoja për forcimin e dimensionit social dhe mjedisor të draftit, në përputhje me standardet dhe objektivat klimatike të Bashkimit Europian.
Projektligji synon krijimin e një tregu energjie konkurrues, të hapur dhe jo diskriminues, ku konsumatori merr një rol më aktiv në sistemin energjitik. Drafti parashikon përfshirjen e koncepteve të reja si klienti aktiv, agregimi, reagimi ndaj kërkesës dhe Komunitetet e Qytetarëve për Energjinë (CEC), duke synuar rritjen e fleksibilitetit të sistemit dhe promovimin e energjisë së rinovueshme. Megjithatë, organizatat mjedisore dhe ekspertët e fushës vlerësojnë se projektligji mbetet i dobët në adresimin konkret të çështjeve sociale dhe mjedisore. Sipas komenteve të paraqitura gjatë konsultimit publik, shumë dispozita janë deklarative dhe nuk përfshijnë mekanizma të qartë zbatimi apo monitorimi në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe objektivat klimatike.
Një nga rekomandimet kryesore lidhet me detyrimin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor (SEA) dhe Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe Social (ESIA) për të gjitha projektet energjitike. Ekspertët kërkojnë që ligji të përfshijë qartë edhe parimin “Do No Significant Harm” (DNSH), në mënyrë që zhvillimet në sektorin energjitik të mos shkaktojnë dëme të konsiderueshme ndaj klimës, mjedisit dhe biodiversitetit.
Komentet e organizatave kërkojnë gjithashtu vendosjen e indikatorëve të detyrueshëm për monitorimin e emetimeve të gazeve serrë dhe rritjen e përdorimit të energjisë së pastër. Sipas tyre, projektligji duhet të parashikojë analiza të rrezikut klimatik për infrastrukturën energjitike dhe masa konkrete për mbrojtjen e zonave të ndjeshme mjedisore.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve gjatë konsultimit publik është fokusuar te mbrojtja e konsumatorëve në nevojë dhe adresimi i varfërisë energjitike. Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që projektligji të përcaktojë qartë kategoritë vulnerabël dhe të garantojë masa konkrete mbështetëse, si tarifa sociale, subvencione apo një nivel minimal energjie pa pagesë për nevojat bazë. Gjithashtu është kërkuar ndalimi i ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për kategori të caktuara gjatë periudhave kritike, sidomos në muajt e dimrit.
Në komentet e saj, Lëvizja për Energjinë dhe Klimën (LEK) kërkon që ligji të promovojë energjinë e shpërndarë në rrjet, përmes investimeve të vogla diellore dhe të erës, si dhe të kufizojë përdorimin e energjisë nga burime fosile vetëm për qëllime të sigurisë energjitike. Organizata propozon gjithashtu që projektet e energjisë së rinovueshme të shoqërohen me investime të detyrueshme në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes.
Një tjetër element i diskutuar gjatë konsultimeve ka qenë funksionimi i Komuniteteve të Qytetarëve për Energjinë (CEC), të cilat konsiderohen si një nga risitë më të rëndësishme të draftit. Sipas ekspertëve, mungesa e akteve nënligjore dhe modeleve konkrete juridike e bën aktualisht të paqartë mënyrën se si këto komunitete do të funksionojnë në praktikë dhe si do të realizohet ndarja e energjisë mes qytetarëve apo komuniteteve lokale.
Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar gjithashtu institucionalizimin e rolit të tyre në proceset e konsultimit, monitorimit dhe vendimmarrjes në sektorin energjitik, duke kërkuar më shumë transparencë, akses publik në informacion dhe procedura konsultimi në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe Konventën e Aarhus.



