Home / Lajme / Kosova / “Diplomacia, energjia e hekurudhat”, Kosova dhe Shqipëria shqyrtojnë zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe

“Diplomacia, energjia e hekurudhat”, Kosova dhe Shqipëria shqyrtojnë zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka vlerësuar se Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera si dy shtete të të njëjtit komb, duke theksuar se bashkërendimi dhe bashkëveprimi ndërmjet tyre janë detyrim kombëtar.

Gjatë takimit u diskutua për marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, si dhe për punën e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

Po ashtu, kryeministri në detyrë veçoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm, përfshirë diplomacinë, energjinë dhe infrastrukturën hekurudhore.

“Kryeministri në detyrë Kurti foli për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, si dhe për Sekretariatin Koordinues Ndërqeveritar. E po ashtu, edhe për thellimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm si, diplomacia, energjia dhe infrastruktura hekurudhore”, thuhet në njoftim.

Në takim u fol edhe për koordinimin në politikën e jashtme, proceset e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal.

Hoxha është pritur sot edhe nga U.D. e presidentes, Albulena Haxhiu dhe ministri në detyrë i MPJD-së, Glauk Konjufca.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com