Home / Zgjedhjet / Buzhala i LVV-së premton gazifikim të qymyrit në Kosovë

Buzhala i LVV-së premton gazifikim të qymyrit në Kosovë

Viktor Buzhala, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në “Debat Përnime” për energjinë ka thënë se planifikojnë njësi të reja për gjenerimin e energjisë elektrike.

Kjo për të siguruar furnizim të mjaftueshëm që të mos ketë varësi nga importi.

Ai ka thënë në debat se ka filluar rehabilitimi i Termocentralit “Kosova B” në njërin bllok e se vitin që vjen do të ketë riparim gjeneral.

Sipas tij, vetëm Termocentrali “Kosova B” do të ketë rreth 20% më shumë kapacitete, derisa ka shtuar se edhe jetëgjatësia i shtohet për diku 20 vjet.

“Pastaj, paralelisht me këtë ka filluar edhe procesi i rehabilitimit të thellë apo rivitalizimit të njësive gjeneruese të “Kosovës A”. Përkatësisht është në proces të tenderimit njësia A3, pastaj do të fillohet edhe me njësinë A4 dhe A5, dhe të gjitha këto kur të rehabilitohen domethënë do të kenë një shtim prej diku në plus 60% të kapacitetit neto të prodhimit.”- deklaroi Buzhala.

Gjatë debatit, Buzhala ka thënë se LVV planifikon edhe gazifikimin e qymyrit.

“Do të ndërtohet një fabrikë e gazifikimit. Ka ekzistuar më herët në ambientet e KEK-ut atje, mirëpo është mbyllur për shkak të ndotjes së madhe që ka gjeneruar, por me teknologjitë moderne do të jetë ndryshe dhe nga ai kapacitet pastaj, nga ai gaz, do të ndërtohet edhe një termocentral nga gazi i cili do të jetë shtytës në këtë. Ndërsa janë në implementim e sipër edhe projektet e energjisë së rinovueshme, energjisë së pastër, domethënë po flasim për energji nga era që do të jenë diku në total 305 MW dhe të energjisë solare që janë plus 250 MW.”- tha Buzhala.

Derisa po fliste për lëshimin e lejeve për të prodhuar energji të ripërtritëshmë, Buzhala i LVV-së ka thënë se është fakt se shumë institucione janë të involvuara në lëshimin e këtyre lejeve.

Megjithatë ai pret që në të ardhmen të përshpejtohen procedurat.

“Me krijimin e përvojës, procedurat do të përshpejtohen shumë më tepër. E thash më herët, domethënë tashmë janë në implementim 70 MW nga era në Zatriq, atje në Rahovec.”- tha Buzhala derisa ka shtuar se 100 MW janë në procedura për t’u bërë me solare në hapësirat e KEK-ut duke shtuar se pritet të lëshohen mes viteve 2027-2028.

Buzhala ka premtuar deri në fund të mandatit 305 MW nga era dhe 250 me solare, të cilat sipas tij furnizojnë 20% të kërkesës për energji elektrike.

Duke folur për projektin e gazit, Buzhala ka thënë se është proces i shtrenjtë e që duhet të ndërtohen tubacionet e gazit në Maqedoni të Veriut pasi që gazi LNG vjen nga Alaska në gjendje të gaztë, duhet të ngurtësohet pastaj me arritë në Greqi dhe prej saj me ardhë në Kosovë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia ka rrjet intern me Greqinë, që i ka dhe ashtu të mbingarkuar dhe krejt kjo krijon një kosto e cila po të shndërrohej pastaj për megavat, domethënë nënkupton minimumi 180 euro për megavat.”- ka deklaruar Buzhala, derisa ka shtuar se LVV synon të bëj gazifikimin e qymyrit dhe të ndërtohet një termocentral që prodhon gaz, premtim ky që synojnë ta përfundojnë deri në fund të mandatit.

/kallxo.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com