Qeveria e Shqipërisë ka miratuar projektligjin për rregullimin e sektorit të energjisë elektrike, i cili synon krijimin e një kuadri të ri funksionimi për tregun energjetik në vend.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas tij, ligji i ri do të fusë Shqipërinë në një koncept të ri të organizimit të sektorit energjetik, duke sjellë forma të reja për konsumatorët dhe për gjithë tregun e energjisë në Shqipëri.
Karakaçi tha se reforma është në përputhje me standardet evropiane dhe vjen në një moment kur sektori energjetik në Shqipëri po pëson transformime të rëndësishme, përcjell Energy Monitor.
Ai shtoi se projektligji është konsultuar me grupet e interesit dhe pasqyron zhvillimet aktuale në sektor, përfshirë rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri.
Në të njëjtën mbledhje, sipas tij, është miratuar edhe leja për ndërtimin e një parku të ri fotovoltaik në Shqipëri me kapacitet 96 megavat.
Karakaçi theksoi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit energjetik, ku energjia nga burimet diellore po zë një rol gjithnjë e më të madh në sistemin e prodhimit të energjisë elektrike në vend.



