Kosova do të përfitojë mbi 206 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian përmes programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me një pjesë të konsiderueshme të fondeve të dedikuara për sektorin e energjisë, mjedisit dhe klimës.
Sipas njoftimit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në vlerë prej 180.5 milionë euro, ndërsa përmes WBIF janë miratuar edhe tre grante shtesë me vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
Nga fondet e IPA-s, 34.5 milionë euro do të dedikohen për sektorin e energjisë, ndërsa 44 milionë euro për mjedisin dhe klimën. Investimet synojnë të mbështesin prioritetet e Kosovës në tranzicionin energjetik, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmbushjen e objektivave për klimën, përcjell Energy Monitor.
Rreth gjysma e fondeve të miratuara do të orientohen drejt investimeve infrastrukturore, ndërsa një pjesë e projekteve do të realizohen në bashkëpunim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet vendore.
Në kuadër të granteve të WBIF është përfshirë edhe asistenca teknike për përgatitjen e investimeve në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, një projekt me rëndësi për menaxhimin e burimeve ujore dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike të vendit.
Projektet e miratuara pritet të fillojnë zbatimin pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe pas nënshkrimit e ratifikimit të marrëveshjeve financiare përkatëse.
Mbështetja e re financiare nga Bashkimi Evropian vjen në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sektorëve strategjikë të Kosovës, me fokus të veçantë në energji, mjedis, infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm.



