Home / Lajme / Kosova / Konsumi final i energjisë në vitin 2025 ishte 13.4% më i lartë se një vit më parë

Konsumi final i energjisë në vitin 2025 ishte 13.4% më i lartë se një vit më parë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Bilancin Vjetor të Energjisë në Republikën e Kosovës për vitin 2025 me të dhëna preliminare, i cili tregon se konsumi final i energjisë ka shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

Sipas raportit, konsumi final i energjisë në vitin 2025 arriti në 1,675.8 ktoe, duke qenë 13.4% më i lartë se në vitin 2024.

ASK bën të ditur se struktura e energjisë primare të konsumuar në Kosovë përfshin thëngjillin, produktet e naftës (benzinë, naftë, mazut, kerozinë dhe gaz të lëngëzuar të naftës – GLN), biomasën, hidroenergjinë, energjinë e erës, energjinë diellore dhe biokarburantet. Ndërkohë, energjia elektrike trajtohet si burim primar vetëm për sasitë e importit dhe eksportit, në përputhje me metodologjinë e EUROSTAT-it, përcjell Energy Monitor.

Raporti evidenton gjithashtu se edhe sektori i industrisë ka regjistruar rritje të konsumit të energjisë. Gjatë vitit 2025, konsumi i përgjithshëm i produkteve energjetike në industri u rrit me 10.17% krahasuar me vitin 2024.

Produktet e naftës mbeten burimi kryesor i energjisë në industri, duke përbërë 62% të konsumit total të sektorit. Pas tyre renditet energjia elektrike me 25%, thëngjilli me 9%, ndërsa biomasa përfaqëson 4% të konsumit.

Sipas ASK-së, të dhënat janë përpiluar duke u bazuar në hulumtime statistikore dhe në të dhëna administrative të siguruara nga institucionet përgjegjëse për monitorimin e sektorit të energjisë në Kosovë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com