Projekti i gazsjellësit Shkup-Prishtinë, i nisur në vitin 2021 në nivel studimor, sipas ministres në detyrë të Ekonomisë, ka qenë i shoqëruar me disa keqinterpretime publike, si për burimin e gazit ashtu edhe për strukturën e financimit dhe logjikën e projektit.
Duke folur në emisionin EURO në T7 me gazetarin Menduh Abazi, ajo tha se në atë fazë nuk është folur për “gaz amerikan”, por projekti ka qenë i hapur dhe i pa specifikuar sa i përket burimit të furnizimit, me referencë potenciale lidhjen me Trans Adriatic Pipeline (TAP), i cili vjen nga Azerbajxhani përmes Turqisë dhe Greqisë, me degëzim drejt Maqedonisë së Veriut.
“Ne atë kohë nuk është folur për gaz amerikan, ka qenë i paspecifikuar se prej nga do të merret gazi,” tha ajo.
83 milionë kredi nga BERZH për gazsjellësin, MCC mbulonte vetem linjat për Sharrcem dhe Ferronikel me 24 milionë kredi
Sipas saj, është krijuar edhe perceptimi se SHBA do të financonte ndërtimin e plotë të gazsjellësit përmes grantit të MCC-së, gjë që ajo e cilësoi të pasaktë.
“Gazsjellësi Shkup–Prishtinë nuk ka qenë i planifikuar të ndërtohet me grant të MCC-së,” u shpreh Rizvanolli.
Ajo sqaroi se pjesa më e madhe e projektit, rreth 83 milionë dollarë nga 104 milionë sa është vlerësuar gjithsej, ishte planifikuar të financohej nga Republika e Kosovës përmes një kredie me BERZH-in, ndërsa MCC do të mbështeste vetëm segmente të caktuara të rrjetit të shpërndarjes së gazit, përfshirë linja specifike për industri si SharrCem dhe Ferronikeli.
Ferronikelit nuk i duhej gazi, e për këtë ishin planifikuar 20 milionë dollarë investime
Sipas saj, gjatë diskutimeve me industri, ka rezultuar se jo të gjitha kompanitë kishin interes për përdorimin e gazit në prodhim, duke e bërë pjesën e dedikuar të investimeve të MCC-së jo domosdoshmërisht të nevojshme për to në atë kohë.
“Si shembull, për Ferronikelin, në konceptin e atëhershëm të projektit ishin paraparë 20 milionë dollarë nga MCC për ndërtimin e një linje të gazit deri te fabrika. Mirëpo, kur e kemi pyetur Ferronikelin, përgjigjja ka qenë se nuk u nevojitet. “Nuk e kemi në plan ta përdorim gazin për prodhim”, ishte qëndrimi i tyre”, sqaroi ministrja.
Parakushti për gazsjellësin: mbyllja e Kosovës A dhe ndërtimi i një termocentrali me gaz 250 MW
Ajo tha gjithashtu se një nga parakushtet teknike të projektit ka qenë mbyllja e Kosovës A, për të mundësuar funksionimin ekonomik të një termocentrali me gaz rreth 250 megavat si bazë (baseload), por që një vendim i tillë nuk është konsideruar i mundshëm nga institucionet e Kosovës.
“Për ne ky ka qenë vendim që nuk kemi mund ta marrim,” tha ajo, duke theksuar se qymyri mbetet burim vendor strategjik për Kosovën dhe një nga rezervat më të mëdha të linjitit në Evropë.
39 euro kundrejt 90 euro/MWh: Rizvanolli shpjegon pse qymyri mbetet alternativa më ekonomike
Rizvanolli tha se një nga arsyet kryesore pse Qeveria nuk e ka mbështetur zëvendësimin e qymyrit me gaz ka qenë analiza ekonomike e kostove të prodhimit. Sipas saj, ekspertët kanë vlerësuar se edhe pas investimeve të planifikuara në termocentralet ekzistuese, kostoja e prodhimit rritet vetëm me rreth 2 euro për megavat-orë në njërën njësi dhe 9 euro për megavat-orë në tjetrën, duke mbetur rreth 39 euro/MWh – sipas saj alternativa më e lirë për Kosovën.
Ajo tha se vlerësimet e ekspertëve të MCC-së në vitin 2021 tregonin se prodhimi i energjisë nga gazi do të kushtonte 70–76 euro/MWh edhe në shtetet që tashmë kanë infrastrukturë të zhvilluar të gazit. Sipas saj, Kosova nuk e ka një infrastrukturë të tillë dhe do të duhej ta ndërtonte atë nga e para, ndërsa sot kostoja e prodhimit nga gazi në Evropë ka arritur rreth 90 euro/MWh.
Në këtë kontekst, ajo tha se çdo krahasim duhet të marrë parasysh edhe faktin se tregu i LNG-së është konkurrues globalisht dhe i ndikuar nga krizat dhe luhatjet ndërkombëtare të çmimeve.
Sipas saj, vendimet për të mos e zëvendësuar qymyrin me gaz lidhen me sigurinë energjetike, koston dhe realitetin infrastrukturor të Kosovës.



