Home / Lajme / Rajoni / Komuniteti i Energjisë dhe KfW nisin dialogun për financimin e tranzicionit energjetik në Evropën Juglindore

Komuniteti i Energjisë dhe KfW nisin dialogun për financimin e tranzicionit energjetik në Evropën Juglindore

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe banka gjermane për zhvillim KfW kanë organizuar në Vjenë tryezën e parë të rrumbullakët kushtuar financimit të qëndrueshëm të Planeve Kombëtare për Energjinë dhe Klimën (NECP), me synim rritjen e investimeve në tranzicionin energjetik në vendet e Komunitetit të Energjisë.

Në takim morën pjesë përfaqësues të sektorit energjetik, industrive me konsum të lartë të energjisë, bankave komerciale dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Sipas organizatorëve, fokusi kryesor ishte identifikimi i mënyrave për të siguruar financim afatgjatë për dekarbonizimin e industrisë dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë, dy fusha që kërkojnë investime të konsiderueshme.

Komuniteti i Energjisë theksoi se vendet e rajonit po avancojnë drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike me Bashkimin Evropian, një proces që pritet të krijojë kuadër më të qëndrueshëm rregullator dhe të nxisë investime në energjinë e ripërtëritshme, rrjetet e transmetimit, ruajtjen e energjisë dhe zgjidhjet për fleksibilitetin e sistemit., përcjell Energy Monitor.

Në të njëjtën kohë, Planet Kombëtare për Energjinë dhe Klimën konsiderohen si dokumente kyçe për orientimin e investimeve, pasi përcaktojnë prioritetet, afatet dhe nevojat financiare të vendeve gjatë procesit të tranzicionit energjetik.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit shqyrtuan mundësi të ndryshme financimi, duke përfshirë kreditë tradicionale, instrumentet e financës së qëndrueshme dhe mekanizmat për uljen e rrezikut të investimeve. Po ashtu, u prezantuan praktikat më të mira nga vendet e Bashkimit Evropian për financimin e dekarbonizimit të industrisë dhe u identifikuan prioritetet e përbashkëta për bashkëpunim ndërmjet bankave komerciale dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Takimi përfundoi me dakordimin për forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve financiarë, me qëllim harmonizimin e reformave, nevojave për investime dhe mbështetjes financiare për tranzicionin e pastër energjetik në vendet e Komunitetit të Energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com