Home / Lajme / Rajoni / OST hap tender 775 mijë euro për lidhjen 110 kV në kryeqytetin shqiptar

OST hap tender 775 mijë euro për lidhjen 110 kV në kryeqytetin shqiptar

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) në Shqipëri ka hapur tender me vlerë rreth 775 mijë euro për ndërtimin e një lidhjeje të re elektrike mes dy nënstacioneve në Tiranë, në kuadër të zgjerimit të infrastrukturës së transmetimit në kryeqytetin shqiptar.

Projekti parasheh lidhjen e Nënstacionit Tirana 3 me Nënstacionin Traktora, përmes një linje të re kabllore nëntokësore që do të integrohet në rrjetin ekzistues të transmetimit.

Sipas dokumentacionit të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, linja e re do të shtrihet nga një pikë e linjës që po ndërtohet aktualisht drejt lidhjes ekzistuese Farkë–Traktora. Punimet përfshijnë vendosjen e kabllove nëntokësore dhe instalimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e saj.

Pas përfundimit të investimit, lidhja do të funksionojë në tensionin 110 kilovolt (kV), duke mundësuar integrimin e Nënstacionit Tirana 3 me atë të Traktorës, përcjell Energy Monitor.

Fondi limit i tenderit është 48.25 milionë lekë, apo rreth 775 mijë euro. Afati për dorëzimin e ofertave është caktuar më 4 dhjetor 2026.

Investimi vjen në kuadër të ndërhyrjeve të tjera të OST-së për forcimin e rrjetit të transmetimit në Tiranë, ku po zhvillohen projekte për zgjerimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Në këtë drejtim, OST ka planifikuar edhe ndërtimin e një nënstacioni të ri 220/110 kV në Traktora, me një autotransformator me kapacitet prej 150 MVA. Ky investim synon të rrisë kapacitetet e transmetimit dhe të përballojë kërkesën në rritje për energji elektrike në kryeqytetin shqiptar.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com