Home / Lajme / Mjedisi / Studimi: Moti ekstrem ka pasoja në shpërthimin e çmimeve të ushqimeve në të gjithë botën!

Studimi: Moti ekstrem ka pasoja në shpërthimin e çmimeve të ushqimeve në të gjithë botën!

Ekstremet e motit lidhen drejtpërdrejt me rritjet afatshkurtra të çmimeve për ushqimet tona bazë, ky është konkluzioni i një studimi të fundit të Institutit të Potsdamit për Studimet Klimatike, drejtuar nga Maximilian Kotz, me mbështetje të Qendrës së Superkompjuterëve të Barcelonës.

Studiuesit përcaktojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis dhjetëra ekstremeve klimatike dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve.

Shembuj: Në Evropë, çmimi i vajit të ullirit u rrit me 50 përqind vitin e kaluar pas thatësirave të zgjatura në Spanjën jugore në vitet 2022 dhe 2023. Shembulli tjetër lidhet me kakaon: Çmimet globale të kakaos u rritën me pothuajse 300 për qind në prill 2024, vetëm dy muaj pasi një valë e të nxehtit goditi Bregun e Fildishtë dhe Ganën.

Studiuesit përmendin edhe Kaliforninë dhe Arizonan, ku çmimet e perimeve u rritën me 80 përqind në nëntor 2022 pas thatësirës ekstreme të verës në shtetet perëndimore të SHBA-së.

Në plan afagjatë kjo mund të sjellë pasoja për shëndetin e popullsisë në nivel global, sepse njerëzit me të ardhura të ulta, nuk mund të blejnë dot perimet dhe frutat, të rëndësishme për shëndetin, paralajmëron studimi.

/DW Shqip