Home / Lajme / Mjedisi / Ministria e Mjedisit rikthen në procedurë rastet me mangësi në konsultimin publik për Pëlqimin Mjedisor

Ministria e Mjedisit rikthen në procedurë rastet me mangësi në konsultimin publik për Pëlqimin Mjedisor

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është marrë vendim për rikthimin në procedurë të të gjitha rasteve për pajisje me Pëlqim Mjedisor, në të cilat procesi i konsultimit publik nuk i ka përmbushur standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi, transmeton Energy Monitor.

Sipas njoftimit të ministrisë, vendimi prek të gjitha lëndët ku Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk ka qenë i qasshëm për publikun ose ku nuk janë respektuar procedurat ligjore të konsultimit publik.

Ministria bën të ditur se, me këtë vendim, nuk do të lëshohet asnjë Pëlqim Mjedisor pa u zhvilluar një proces i rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës i konsultimit publik.

Po ashtu, pas përsëritjes së procedurës dhe sigurimit të qasjes në Raportin e VNM-së, operatori ekonomik, përkatësisht përpiluesi i raportit të VNM-së, do të jetë i obliguar të zhvillojë forma shtesë të konsultimit publik përmes komunikimit fizik ose elektronik me përfaqësuesit e komunitetit.

Ky proces duhet të dokumentohet gjatë aplikimit ose riaplikimit për pajisje me Pëlqim Mjedisor, njofton ministria.

Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, masa synon të forcojë transparencën, llogaridhënien dhe zbatimin e standardeve ligjore në procedurat e vlerësimit mjedisor, duke garantuar një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës të vendimmarrjes për projektet që kërkojnë Pëlqim Mjedisor.

Vendimi është publikuar më 16 korrik 2026.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com