Home / Lajme / Kosova / Efiçienca e energjisë në fokus, FKEE zhvillon vizitë studimore në Lituani

Efiçienca e energjisë në fokus, FKEE zhvillon vizitë studimore në Lituani

Përfaqësues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), së bashku me përfaqësues të GIZ Kosovo, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, zhvilluan një vizitë studimore në Lituani për t’u njohur nga afër me përvojën e këtij vendi në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore, njofton Energy Monitor.

Vizita u përqendrua në Programin e Modernizimit të Ndërtesave Shumëbanesore (Multi-Apartment Building Modernization Program), i cili konsiderohet një nga modelet më të avancuara për rinovimin energjetik të sektorit rezidencial.

Gjatë qëndrimit në Vilnius, delegacioni zhvilloi takime me Agjencinë për Menaxhimin e Projekteve Mjedisore (APVA) dhe Agjencinë për Zhvillimin e Sektorit të Ndërtimit. Sipas FKEE-së, diskutimet u fokusuan në mekanizmat e financimit të projekteve, rolin e komunave dhe të shoqatave të bashkëpronarëve, standardet teknike, kontrollin e cilësisë, si dhe kuadrin ligjor që ka mundësuar zbatimin me sukses të programit në Lituani, përcjell Energy Monitor.

Delegacioni u prit gjithashtu nga kryetari i Komunës së Utenës dhe përfaqësues të tjerë lokalë, me të cilët u diskutua roli i komunave në zbatimin e programeve të rinovimit energjetik. Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit e FKEE-së vizituan edhe Ndërmarrjen e Ngrohjes Qendrore (District Heating Utility), ku u njohën me zgjidhjet e aplikuara për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe funksionimin e sistemit të ngrohjes qendrore.

Sipas FKEE-së, vizita shërbeu për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e praktikave më të mira, të cilat mund të kontribuojnë në hartimin dhe zbatimin e programeve të qëndrueshme për rritjen e efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial në Kosovë.

Vizita u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i mekanizmave të financimit të FKEE-së për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme”, i cili financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ dhe zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com