Home / Lajme / Kosova / Kosova dhe Franca në tryezë të rrumbullakët, diskutojnë edhe bashkëpunimin energjetik

Kosova dhe Franca në tryezë të rrumbullakët, diskutojnë edhe bashkëpunimin energjetik

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar prioritetet e Kosovës në sektorin energjetik gjatë një tryeze të rrumbullakët me ministrin e deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, ku u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Në takim, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe kompanive franceze, Rizvanolli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në tranzicionin energjetik, zhvillimin e kapaciteteve të reja solare dhe të erës, modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit energjetik, si dhe zhvillimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore, njofton Energy Monitor.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, diskutimet u zhvilluan në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit francez Benjamin Haddad dhe pas nënshkrimit të pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Në fokus të takimit ishte edhe roli i Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) në mbështetjen e projekteve në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe sportit.

“Franca është një nga partnerët tanë kryesorë evropianë. Ekziston hapësirë e konsiderueshme që marrëdhëniet tona të fuqishme politike të plotësohen me bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik, investime të reja dhe projekte konkrete”, deklaroi ministrja Rizvanolli, përcjell Energy Monitor.

Ministri Haddad e vlerësoi takimin si një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke theksuar se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 mund të shërbejnë si mundësi për zhvillimin e projekteve të reja.

Kosova dhe Franca kanë intensifikuar bashkëpunimin në sektorin energjetik vitet e fundit, veçanërisht përmes mbështetjes së donatorëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare në projektet që lidhen me tranzicionin energjetik dhe rritjen e kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme.

Në sektorin e energjisë, Kosova po zhvillon disa procese për rritjen e kapaciteteve të reja, përfshirë ankandin solar prej 100 MW, projektet e energjisë së erës dhe investimet në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes.

Ndryshe, në tryezë morën pjesë Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), France Sport Expertise Group dhe kompanive franceze.

Diskutimi u zhvillua pas nënshkrimit të pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës: Marrëveshjes për ekstradim; Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale; marrëveshjes së kredisë me AFD-në për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030; Deklaratës së Synimit për themelimin e Komitetit Francë–Kosovë për Lojërat Mesdhetare; si dhe Marrëveshjes Administrative për zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në Kosovë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com