Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka diskutuar me përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për zhvillimin e infrastrukturës industriale dhe avancimin e konceptit të eko-parqeve industriale (Eco Industrial Parks).
Në takim me Shefin e Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Hubert Perr, dhe përfaqësues të tjerë të BE-së, u theksua rëndësia e krijimit të zonave industriale që përmbushin standardet moderne të qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore.
Sipas MINTI-t, synimi është që parqet industriale në Kosovë të pajisen me infrastrukturë të avancuar, duke përfshirë zgjidhje për ekonominë qarkore, trajtimin e ujërave të zeza, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe masat për rritjen e efiçiencës së energjisë, përcjell Energy Monitor.
Gjatë takimit u diskutua edhe për transferimin e njohurive dhe zhvillimin e arsimit dual brenda këtyre zonave, me qëllim krijimin e një ekosistemi industrial më konkurrues dhe të përshtatur me kërkesat e tregut evropian.
Ministrja Kusari-Lila tha se investimet në partneritet me komunitetin ndërkombëtar do t’u ndihmojnë prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë të përmbushin kërkesat që dalin nga Marrëveshja e Gjelbër Evropiane (EU Green Deal), standardet e kujdesit të duhur (due diligence) dhe Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM).
Sipas saj, zhvillimi i këtyre zonave industriale do të rrisë konkurrueshmërinë e kompanive vendore, do të krijojë kushte më të mira për investime dhe do të forcojë pozitën e Kosovës si destinacion për ‘nearshoring’, duke afruar zinxhirët e furnizimit me tregun e Bashkimit Evropian.



