Home / Lajme / Kosova / Nesër mbledhja e bordit të ZRRE, në agjendë autorizimi i projekteve të erës në Zatriq

Nesër mbledhja e bordit të ZRRE, në agjendë autorizimi i projekteve të erës në Zatriq

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të mbajë të premten, më 31 korrik 2026, mbledhjen e radhës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i aplikacioneve për autorizimin e dy projekteve të energjisë elektrike nga era në Zatriq të Rahovecit.

Sipas agjendës së publikuar nga ZRRE, Bordi do të shqyrtojë aplikacionet e kompanisë EV WIND PARK SH.P.K. ZATRIC 1 dhe EV WIND PARK SH.P.K. ZATRIC 2 për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga era.

Projektet Zatriq I dhe Zatriq II janë pjesë e parkut të erës në Zatriq, të zhvilluara nga EV Wind Park SH.P.K., kompani në pronësi të përbashkët, ku 75% e aksioneve zotërohen nga Çalık Renewables / Çalık Enerji, ndërsa 25% nga kompania vendore Eurokos. Parku i erës ka një kapacitet total të planifikuar prej rreth 70 MW, përcjell Energy Monitor.

Projekti parasheh instalimin e 12 turbinave të erës, ndërsa furnizues i teknologjisë është kompania GE Vernova. Parku i erës në Zatriq është një prej projekteve më të mëdha private në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Projekti ka siguruar një paketë financimi prej rreth 112 milionë euro, me mbështetje nga institucione financiare ndërkombëtare, përfshirë Helaba, Deutsche Bank dhe sigurimin eksportues NEXI.

Përveç projekteve të erës në Zatriq, Bordi i ZRRE-së në mbledhjen e 31 korrikut do të shqyrtojë edhe draft-rregullën për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtërishme (BEBR) në Kosovë, si dhe raportin lidhur me hidrocentralin “Lumbardhi I”, njofton Energy Monitor.

Në agjendë janë gjithashtu kërkesa të ndryshme për autorizime për vetë-konsum nga biznese dhe persona fizikë, përfshirë kompaninë Solar Energy Group Europe SH.P.K. (SEGE), si dhe subjekte të tjera si FITOREJA SH.P.K., KUJTA GRUP SH.P.K., KOS COSTRACTION dhe CALIFORNIA COMPLEX SH.P.K.

Shqyrtimi i aplikacioneve të EV WIND PARK SH.P.K. nga Bordi i ZRRE-së paraqet një hap të rëndësishëm në procedurat rregullatore për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga era në Zatriq.

Parku i erës në Zatriq pritet të shtojë rreth 70 MW kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme në sistemin energjetik të Kosovës dhe të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com