Kompania FRON SH.P.K. ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për autorizim për ndërtimin e një parku solar me kapacitet të instaluar prej 4 megavatësh në fshatin Bajqinë të Podujevës.
Sipas njoftimit publik të ZRRE-së, aplikacioni është dorëzuar më 25 shtator 2026. Projekti parashihet të ndërtohet në dy parcela kadastrale, 01491-0 dhe 01493-0, në zonën kadastrale të Bajqinës.
FRON-i ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar për marrjen e autorizimit, përfshirë pëlqimin mjedisor, kushtet dhe lejen ndërtimore të lëshuara nga Komuna e Podujevës, si dhe pëlqimin elektroenergjetik nga KEDS-i, njofton Energy Monitor.
Dokumentacioni përfshin gjithashtu dëshmi për të drejtat e shfrytëzimit të tokës, deklaratën për shitjen e energjisë, dëshmi për posedimin e 10 për qind të vlerës së investimit, një parakontratë për inxhinieri, prokurim dhe ndërtim (EPC), si dhe planin e biznesit dhe planin dinamik të realizimit të projektit.
Sipas deklaratës së dorëzuar në ZRRE, energjia elektrike e prodhuar nga parku solar synohet të shitet me çmimet e tregut.
ZRRE-ja u ka dhënë palëve të interesuara tetë ditë nga data e publikimit të njoftimit për të paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me aplikacionin. Qasja në dokumentet e aplikimit mundësohet në përputhje me legjislacionin për qasje në dokumente publike, brenda kufizimeve të përcaktuara nga aplikuesi.



