Ka nisur procesi i konsultimit publik për ndërtimin e Digës Multifunksionale të Desivojcës në Komunën e Kamenicës, një projekt strategjik që synon përmirësimin e menaxhimit të ujërave, furnizimin afatgjatë me ujë dhe zhvillimin e bujqësisë në rajonin e Anamoravës.
Takimi i parë i konsultimit u organizua në kuadër të procesit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përmes Projektit FLOWS, me mbështetjen e Bankës Botërore. Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, ekspertë teknikë, përfaqësues të Bankës Botërore dhe banorë të zonës.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, e cilësoi digën një nga investimet më të rëndësishme për të ardhmen e komunës, duke theksuar se projekti do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me ujë, zhvillimin e bujqësisë dhe perspektivën ekonomike të rajonit.
“Ky nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por një ndërhyrje që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e furnizimit me ujë, zhvillimin e bujqësisë dhe perspektivën ekonomike të Kamenicës”, tha Rahimaj.
Sipas përfaqësuesve të projektit, Diga e Desivojcës është njëra nga pesë digat multifunksionale që Ministria është duke i zhvilluar me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Projekti FLOWS, i financuar nga Banka Botërore, synon përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore në Kosovë, rritjen e qëndrueshmërisë ndaj thatësirave dhe përmbytjeve, si dhe përshtatjen ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
Furnizim me ujë deri në vitin 2050 dhe ujitje për 2,500 hektarë tokë
Sipas prezantimit teknik të projektit, Diga e Desivojcës synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për Kamenicën dhe zonat përreth deri në vitin 2050.
Përveç furnizimit me ujë, projekti parashikon edhe ujitjen e rreth 2,500 hektarëve tokë bujqësore, mbrojtjen nga përmbytjet përgjatë lumenjve të Desivojcës dhe Moravës së Binçës, si dhe përfitime për komunat Kamenicë, Ranillug dhe Gjilan.
Ekspertët theksuan se projekti ndodhet ende në fazën përgatitore, ku po analizohen aspektet teknike, mjedisore dhe sociale, ndërsa konsultimet me komunitetin do të jenë pjesë e procesit të mëtejshëm.
“Qëllimi i këtij konsultimi është të dëgjojmë mendimet, pyetjet, shqetësimet dhe rekomandimet e komunitetit për zhvillimin e projektit”, tha Vigan Syla, udhëheqës i Ekipit për Menaxhimin e Projektit FLOWS.
Sipas MMPHI-së, zbatimi i projektit do të bëhet në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe standardet mjedisore e sociale të Bankës Botërore.
Diga e Desivojcës paraqet një nga investimet më të mëdha të planifikuara në infrastrukturën ujore të Kosovës, në një kohë kur menaxhimi i burimeve ujore dhe rritja e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike po bëhen sfida gjithnjë e më të rëndësishme.



