Home / Lajme / Kosova / Zgjedhjet / Kurti në KTV: 5 diga në fokus të planeve energjetike dhe investimeve të mëdha në Kosovë

Kurti në KTV: 5 diga në fokus të planeve energjetike dhe investimeve të mëdha në Kosovë

Në një intervistë në KTV, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Albin Kurti dhe i Lëvizja Vetëvendosje prezantoi një paketë të gjerë projektesh që, sipas tij, synojnë zhvillimin e sektorit energjetik dhe infrastrukturor të vendit, duke përfshirë edhe ndërtimin e pesë digave të reja.

Kurti tha se projektet energjetike dhe infrastrukturore do të shoqërohen me investime të mëdha publike dhe partneritete publiko-private, duke i vendosur digat në qendër të komponentit të energjisë dhe menaxhimit të ujërave, përcjell Energy Monitor.

“E para është gasifikimi i linjitit dhe minierat, investime. Partneritet mund të bëjmë publiko-privat, për minierat p.sh. gasifikimi i linjitit, ne i kemi 10 deri në 14 miliardë tonë linjit. Tjetra është hekurudhat. 4 hekurudha tejet të rëndësishme. Prishtinë – Durrës, që e lidh Portin e thatë të Prishtinës me Portin e ri të Durrësit, me segmentin Gjakovë–Shkodër në mes. Pastaj, 5 diga: Desivojcë, Dragaqinë, Firajë, Kuçicë edhe Pollatë. Pra, 5 diga do të fillojnë të ndërtohen, 4 tjera do ta bëjmë studimin e fizibilitetit. Asnjë vit më pak se 1 miliard euro shpenzime kapitale… këto 5 diga janë 400 milionë euro,” tha Kurti.

Pesë digat e përmendura janë Desivojca, Dragaqina, Firaja, Kuçica dhe Pollata. Ato parashihen si projekte hidroteknike që do të shërbejnë për akumulimin e ujit dhe, potencialisht, për prodhimin e energjisë elektrike përmes hidrocentraleve, në varësi të dizajnit dhe kapaciteteve që do të përcaktohen në fazat e mëvonshme të zhvillimit, njofton Energy Monitor.

Në aspektin energjetik, digat kanë rol të rëndësishëm në sistemet elektroenergjetike, pasi mundësojnë balancimin e prodhimit dhe konsumit të energjisë. Në periudhat e kërkesës së lartë, uji i akumuluar mund të shfrytëzohet për prodhim të menjëhershëm të energjisë, ndërsa në periudhat me kërkesë më të ulët, rezervuarët mund të mbushen sërish, duke funksionuar si një formë natyrore e ruajtjes së energjisë.

Kurti nuk dha detaje teknike shtesë për kapacitetet e mundshme prodhuese të këtyre digave, por theksoi se ato janë pjesë e një pakete më të gjerë investimesh infrastrukturore që përfshijnë edhe hekurudhat dhe minierat, me fokus të veçantë në sektorin energjetik dhe zhvillimin ekonomik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com