Qeveria e Greqisë ka vendosur të krijojë një Komitet Kombëtar për Energjinë Bërthamore, me detyrë shqyrtimin e mundësive për përdorimin e energjisë bërthamore në të ardhmen dhe hartimin e një strategjie afatgjatë për këtë sektor.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se komiteti do të përbëhet nga shkencëtarë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë, të cilët do të analizojnë zhvillimet teknologjike, ekonomike dhe gjeopolitike që lidhen me energjinë bërthamore, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Ai theksoi se energjia bërthamore po rikthehet në agjendën evropiane si një opsion për garantimin e sigurisë energjetike dhe dekarbonizimin e ekonomisë, përcjell Energy Monitor.
Sipas qeverisë greke, komiteti nuk nënkupton një vendim për ndërtimin e centraleve bërthamore, por synon të përgatisë vendin për zhvillimet e ardhshme dhe të vlerësojë nëse teknologjitë e reja, përfshirë reaktorët modularë të vegjël (SMR – Small Modular Reactors), mund të kenë rol në sistemin energjetik grek në dekadat e ardhshme.
Fokus te teknologjitë e reja
Komiteti pritet të analizojë zhvillimin ndërkombëtar të teknologjive bërthamore, kostot e tyre, aspektet e sigurisë, kuadrin rregullator dhe mundësitë e bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Vitet e fundit disa vende evropiane kanë rritur interesimin për energjinë bërthamore, ndërsa Komisioni Evropian e konsideron atë pjesë të tranzicionit energjetik në disa shtete anëtare, krahas zgjerimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Rajoni po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje energjisë bërthamore
Krijimi i komitetit në Greqi vjen në një periudhë kur edhe vendet e Ballkanit po shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit në këtë fushë.
Serbia ka nisur hapat e parë për zhvillimin e programit të saj bërthamor përmes marrëveshjeve me kompaninë franceze EDF dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), ndërsa vende të tjera të rajonit po monitorojnë zhvillimet në teknologjitë e reja bërthamore, njofton Energy Monitor.
Edhe pse Greqia nuk ka aktualisht centrale bërthamore dhe nuk ka marrë vendim për ndërtimin e tyre, krijimi i Komitetit Kombëtar për Energjinë Bërthamore sinjalizon se Athina dëshiron të jetë e përgatitur për rolin që kjo teknologji mund të ketë në sistemin energjetik evropian në dekadat e ardhshme.



