Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka publikuar Qarkoren e Energjisë “Çmimi i pambrojtjes: Si faturat e gabuara, ankesat e vonuara, kompensimi që nuk zbatohet dhe tarifat e shkyçjes e thellojnë varfërinë energjetike”, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si mbrohen konsumatorët e energjisë në Kosovë.
Sipas analizës, Kosova ka një numër të drejtash të përcaktuara në ligje dhe rregulla, përfshirë të drejtën për faturim sipas konsumit real, të drejtën për ankesë, mbrojtjen nga shkyçja gjatë shqyrtimit të një fature të kontestuar dhe të drejtën për kompensim në rast të shërbimeve me cilësi të dobët.
Megjithatë, INDEP vlerëson se këto të drejta shpesh nuk janë të qasshme, të shpejta apo efektive në praktikë, njofton Energy Monitor.
Afatet ligjore të ankimimit nuk përputhen njëra me tjetrën
Një prej problemeve të evidentuara është mospërputhja në afatet për shqyrtimin e ankesave. Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit parasheh përgjigje brenda 15 ditësh, ndërsa rregullat e ZRRE-së lejojnë 30 ditë për rastet normale dhe deri në tre muaj për rastet komplekse. Sipas INDEP, kjo mospërputhje duhet të harmonizohet, pasi vonesat mund të krijojnë borxhe dhe rrezik për shkyçje, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.
Numri i ankesave është një tjetër tregues i rëndësishëm. Gjatë vitit 2025, KESCO pranoi 14,610 ankesa të reja, krahasuar me 11,596 në vitin 2024, një rritje prej rreth 26 për qind. Prej tyre, 10,814 ose 74.02 për qind kishin të bënin me faturimin dhe leximin e njehsorëve.
Një numër i konsiderueshëm i ankesave në favor të konsumatorëve
Edhe ankesat e adresuara te ZRRE tregojnë një numër të konsiderueshëm rastesh në favor të konsumatorëve. Nga 418 ankesa formale të pranuara në vitin 2025, ZRRE zgjidhi 369, ndërsa 224 vendime, ose 60.7 për qind, ishin në favor të konsumatorëve. Për cilësinë e tensionit u regjistruan 544 ankesa, 36.7 për qind më shumë se një vit më parë. Nga 307 rastet e zgjidhura, 216 përfunduan në favor të konsumatorëve, përcjell Energy Monitor.
INDEP vëren gjithashtu se mekanizmi i kompensimit për shërbime me cilësi të dobët ekziston në rregullore, por nuk po zbatohet. Sipas raportit, standardet konkrete dhe shumat e kompensimit nuk janë përcaktuar me vlera numerike, ndërsa ZRRE ka konfirmuar gjatë procesit MAR 2026 se mekanizmi nuk është duke u zbatuar. Në vitin 2025, ndërkohë, ndërprerjet mesatare të furnizimit arritën në 60.81 orë dhe numri mesatar i ndërprerjeve ishte 45.53.
Tarifa e shkyçjes dhe rikyçjes mund të ketë efekt regresiv
Një tjetër shqetësim lidhet me tarifat e shkyçjes dhe rikyçjes. Nga 1 shtatori 2026, KESCO ka paralajmëruar zbatimin praktik të tarifës prej 17.70 eurosh për shkyçje dhe 17.70 eurosh për rikyçje, ose gjithsej 35.40 euro.
INDEP thekson se tarifa nuk është e re në aspektin ligjor, por zbatimi i saj praktik pas disa vitesh moszbatim paraqet një ndryshim të rëndësishëm. Raporti ngre veçanërisht pyetje për aplikimin e së njëjtës tarifë edhe për shkyçjet dhe rikyçjet në distancë përmes njehsorëve inteligjentë.
Sipas analizës, 35.40 euro përbëjnë rreth 23.6 për qind të pragut mujor të përfitimit për një person me të ardhura të ulëta prej rreth 150 eurosh. Për këtë arsye, INDEP vlerëson se tarifa mund të ketë efekt regresiv dhe ta thellojë borxhin e familjeve më të varfra.
Kosova ende pa kornizë për matjen dhe trajtimin e varfërisë energjetike
Raporti vëren se Kosova ende nuk ka një kornizë të plotë për matjen dhe trajtimin e varfërisë energjetike. Sipas INDEP, vendi nuk ka ende një përkufizim zyrtar të varfërisë energjetike, kritere standarde, tregues të përditësuar apo objektiv kombëtar për uljen e saj.
Të dhënat e fundit të krahasueshme të cituara në raport janë nga viti 2018, kur 40.2 për qind e popullsisë nuk mund ta mbante shtëpinë mjaftueshëm të ngrohtë, ndërsa 49.4 për qind kishin vonesa në pagesën e faturave të shërbimeve.
INDEP thekson gjithashtu se ekziston dallim mes një konsumatori të regjistruar si i cenueshëm dhe një familjeje që jeton në varfëri energjetike.
Deri në mars 2025, nga programi për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm kishin përfituar 90,977 familje, por sipas raportit subvencionimi sezonal nuk mund të zëvendësojë një politikë të plotë për trajtimin e varfërisë energjetike.
Kosova nuk arriti të transpozonte Direktivën evropiane brenda afatit
Një tjetër problem i ngritur është përputhja e Kosovës me rregullat evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve të energjisë. Sipas raportit, Kosova duhej ta transpozonte Direktivën 2019/944 deri më 31 dhjetor 2023, ndërsa pas konstatimit të mospërputhjes në dhjetor 2025, kishte afat deri më 1 korrik 2026 për ta korrigjuar situatën. Sipas INDEP, edhe ky afat ka kaluar pa u zgjidhur çështja.
Direktiva kërkon, ndër të tjera, fatura dhe kontrata të qarta, mjete funksionale për krahasimin e çmimeve, mekanizma të thjeshtë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, mbrojtje të veçantë për konsumatorët e cenueshëm dhe informim të konsumatorëve para shkyçjes për mundësitë e pagesës, mbështetjen sociale dhe masat për efikasitet energjetik.
Mungesa e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e konsumatorëve
INDEP vëren edhe mungesë të kapaciteteve institucionale. Në vitin 2025, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në ZRRE kishte të plotësuara vetëm dy nga tri pozitat e planifikuara, ndërsa në ZRRE në përgjithësi ishin të plotësuara 23 nga 33 pozita.
Në rekomandimet e saj, INDEP kërkon që ZRRE të publikojë metodologjinë e plotë të kostos së shkyçjes dhe rikyçjes, duke dalluar veprimet fizike nga ato në distancë, si dhe që tarifat për shkyçje dhe rikyçje në distancë të pezullohen deri në përfundimin e analizës së kostos dhe ndikimit social, përcjell Energy Monitor.
Kërkohet gjithashtu përjashtim nga këto tarifa për konsumatorët e cenueshëm dhe familjet me persona që varen nga pajisjet mjekësore.
Nga transparenca deri te kompensimet dhe zbatimi i të drejtave: Çfarë rekomandon raporti i INDEP?
Raporti propozon edhe që kompensimi për shërbime të dobëta të kreditohet automatikisht në faturë kur shkelja mund të dëshmohet përmes të dhënave të operatorit, si dhe publikimin tremujor të të dhënave për ankesat, shkyçjet, rikyçjet, ndërprerjet dhe kompensimet.
Për periudhën deri në fund të vitit 2026, INDEP kërkon edhe përcaktimin ligjor të varfërisë energjetike, krijimin e treguesve dhe objektivave kombëtare për uljen e saj dhe lidhjen e regjistrit të konsumatorëve të cenueshëm me ZRRE-në, KEDS-in, KESCO-n dhe skemat sociale.
Në përfundim, INDEP vlerëson se problemi kryesor nuk është mungesa e të drejtave në letër, por zbatimi i dobët i tyre. Raporti kërkon kalimin nga një sistem që reagon pasi konsumatori pëson dëmin, në një sistem që e parandalon atë përmes shqyrtimit më të shpejtë të ankesave, kompensimit automatik, tarifave transparente dhe mbrojtjes më të fortë para shkyçjes.



