Një hulumtim i publikuar nga Buletini Ekonomik ka nxjerrë në pah parregullsi të shumta në procesin e shpronësimeve të zhvilluara në vitin 2024 në Shipitullë dhe Sibovc të Obiliqit, ku dëmi ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) vlerësohet në rreth 10 milionë euro.
Sipas hulumtimit, i cili bazohet edhe në një raport të auditimit të brendshëm të KEK-ut të nëntorit 2024, procesi i shpronësimit për rreth 100 hektarë tokë dhe 17 shtëpi është shoqëruar me raste të dyshuara të mbivlerësimit të pronave, ndërtimeve fiktive dhe kompensimit të fidanëve e infrastrukturës që dyshohet se janë krijuar për qëllim të përfitimit nga shpronësimi.
Shtëpi të ndërtuara për shpronësim
Një nga gjetjet kryesore lidhet me struktura të ndërtuara pak para procesit të vlerësimit të pronave. Auditorët e KEK-ut, sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, identifikuan 17 objekte të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa ndërtimi dhe shpronësimi i tyre vlerësohet se i ka shkaktuar KEK-ut dëm prej mbi 3 milionë eurosh.
Në disa raste, objektet dyshohet se janë rrënuar menjëherë pas përfundimit të shpronësimit, përcjell Energy Monitor.

Auditimi evidenton gjithashtu raste ku sipërfaqet e shtëpive ishin regjistruar dukshëm më të mëdha sesa ato të konstatuara në terren. Në dy pako, për shembull, auditorët gjetën 572 metra katrorë të mbivlerësuar, me një diferencë financiare prej rreth 283 mijë eurosh.
Rreth 200 mijë fidanë
Një pjesë edhe më e madhe e dëmit lidhet me fidanët. Sipas auditimit, rreth 200 mijë fidane janë kompensuar në kuadër të shpronësimeve, duke i shkaktuar KEK-ut dëm prej rreth 6 milionë eurosh.
Vetëm kompensimi i pemishteve, sipas gjetjeve të raportit, ka shkaktuar humbje prej rreth 2.45 milionë eurosh, ndërsa rreth 62 për qind e fidanëve të evidentuar rezultonin të thata.
Buletini Ekonomik raporton edhe për raste ku numri i pemëve të regjistruara në dokumentacion ishte shumë më i lartë se ai i konstatuar gjatë verifikimit në terren.
Edhe puse për kompensim
Hulumtimi raporton gjithashtu për së paku 10 puse në Shipitullë, për të cilat banorët kanë deklaruar se janë hapur vetëm para procesit të shpronësimit. Në një rast të përmendur nga Buletini Ekonomik, një pus që kushtonte rreth 500 euro për t’u hapur ishte kompensuar me 2,500 euro, njofton Energy Monitor.
Procesi i shpronësimeve është menaxhuar nga KEK-u, ndërsa për vlerësimin e pronave ishte angazhuar përmes tenderimit kompania Legal Solution Sh.p.k. Kompania ka deklaruar se përgjegjësia e saj ishte dokumentimi dhe vlerësimi i gjendjes në terren, ndërsa për ndërtime të mundshme fiktive përgjegjësia i takonte KEK-ut dhe institucioneve tjera mbikëqyrëse.
KEK-u nuk ka dhënë përgjigje për gjetjet e raportuara nga Buletini Ekonomik, pavarësisht kërkesave të mediumit për sqarime.
Hulumtimin e plotë të Buletinit Ekonomik mund ta lexoni këtu.



