Estonia ka dhënë një kontribut shtesë prej 125 mijë eurosh në fondin për përkrahjen energjetike të Ukrainës (Ukraine Energy Support Fund), duke e çuar totalin e kontributeve të saj në këtë fond në 2.745 milionë euro.
Fondet synojnë të ndihmojnë sektorin energjetik të Ukrainës në riparimin dhe rikthimin në funksion të infrastrukturës së dëmtuar nga sulmet, si dhe në sigurimin e pajisjeve dhe materialeve të nevojshme për funksionimin e sistemit energjetik, përcjell Energy Monitor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komuniteti i Energjisë, rreth 70% e kapacitetit të prodhimit të energjisë të Ukrainës para luftës është shkatërruar, duke e vendosur sektorin energjetik përballë sfidave të mëdha ndërsa vendi përgatitet për dimrin e pestë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus.
Ukraina ende ka nevojë për 443.8 milionë euro
Pavarësisht kontributeve të siguruara, në fond mbetet një hendek i konsiderueshëm financiar.
Sipas Energy Community, nevojiten ende 443.8 milionë euro për të përmbushur prioritetet energjetike të Ukrainës.
Shifra bazohet në nevojat prej 650 milionë eurosh të paraqitura në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës në qershor, duke marrë parasysh kontributet e siguruara që nga atëherë, njofton Energy Monitor.
Fondet nevojiten për pajisje dhe materiale që mundësojnë riparimin e infrastrukturës së dëmtuar, mirëmbajtjen e shërbimeve energjetike dhe reagimin e shpejtë ndaj dëmeve të reja.
Mbështetje për përgatitjen e dimrit
Ministri estonez i Energjisë dhe Mjedisit, Andres Sutt, tha se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në aftësinë e Ukrainës për të përballuar dimrin.
Edhe ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, theksoi nevojën për mbrojtjen e rrjetit energjetik, riparimin e objekteve të dëmtuara dhe sigurimin e vazhdueshëm të furnizimeve kritike, njofton Energy Monitor.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit te Energjise, Artur Lorkowski, e ka cilësuar kontributin e Estonisë si një shembull të mbështetjes ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e sistemit energjetik ukrainas dhe u ka bërë thirrje vendeve të tjera të ndjekin këtë shembull.
Ukraine Energy Support Fund është krijuar për të mobilizuar mbështetje ndërkombëtare për sektorin energjetik të Ukrainës, veçanërisht për riparimin dhe zëvendësimin e infrastrukturës së dëmtuar dhe për përgatitjen e sistemit për kushtet e dimrit.



