Francezja Voltalia, një kompani ndërkombëtare e pranishme edhe në tregun shqiptar nëpërmjet parkut fotovoltaik të Karavastasë, tashmë në prodhim dhe atij të Spitallës, ende në procedura, duket se synon të zgjerojë më tej aktivitetin.
Prej disa kohësh në rrjetin social Facebook në faqen e saj zyrtare, kompania ka aktivizuar një thirrje në gjuhën shqipe që synon të tërheqë pranë vetes individë apo subjekte të interesuara për të dhënë tokën e tyre me qira për një periudhë të gjatë ku kompania do të zbatojë projekte të saj impianteve diellorë.
“Fushata e sponsorizuar thotë: Keni tokë të lirë që nuk po e shfrytëzoni? Ne kemi një ofertë për ju? Ofrojmë një çmim konkurrues qiraje për çdo hektar. Afati i qirasë: 30 vjet.
Të ardhura të garantuara afatgjata, pa kosto apo rreziqe për ju. Bëhuni partner me një kompani të energjisë së rinovueshme” thuhet në disa foto) të publikuara ku ndër të tjera jepen edhe të dhëna mbi personin e kontaktit.
Investimet në energjinë diellore po vijojnë të mbeten një fushë e gjerë interesi për bizneset me aplikime që paraqiten vazhdimisht pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë edhe pse numri i projekteve të analizuara mbetet ende i vogël në raport me projektet në letër.
Konkretisht Karavasta Solar që është pjesë e Voltalias që ka nën menaxhim impiantin e Karavastasë me një kapacitet 140MW është një ndër më të mëdhenjtë që ka përfunduar dhe po prodhon energji nga fundi i vitit 2023.
Voltalia fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.
Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh.
Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë. Por ky projekt nuk ka avancuar me ritmet e pritshme.
Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258,383 MW energji që përbënte 3.2 për qind të prodhimit neto vendas.