KEDS ka përfunduar disa projekte për modernizimin e rrjetit elektrik në Smallushë të Lipjanit, me një investim prej 223,622.97 eurosh.
Në kuadër të projekteve “Smallushë I”, “Smallushë II” dhe “Smallushë Poturët”, janë zëvendësuar shtyllat e vjetra prej druri dhe betoni me 180 shtylla të reja prej betoni, si dhe është modernizuar rrjeti i tensionit të ulët dhe të mesëm.
Punimet kanë përfshirë edhe ndërtimin e një pjese të rrjetit nëntokësor të tensionit të ulët dhe instalimin e dy transformatorëve, me kapacitete prej 100 kVA dhe 400 kVA, përcjell Energy Monitor.
Sipas KEDS-it, nga investimi përfitojnë drejtpërdrejt qindra konsumatorë, ndërsa projektet synojnë rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rrjetit dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.




