Kompania izraelite Nofar Energy ka inauguruar dy parqe fotovoltaike në qarkun Giurgiu të Rumanisë, me kapacitet të përbashkët prej 315 MW, duke shtuar kapacitete të reja të energjisë diellore në rrjetin elektrik të vendit.
Parqet ndodhen në Iepurești dhe Ghimpați, ndërsa objekti në Iepurești ka një kapacitet prej 169.4 MW, duke u bërë, sipas kompanisë, parku më i madh fotovoltaik në Rumani.
Të dy projektet janë tashmë të lidhura me rrjetin, ndërsa Nofar Energy planifikon t’i pajisë ato edhe me sisteme të magazinimit të energjisë me bateri.
Energjia diellore do të kombinohet me magazinimin
Sipas Nofar Energy, sistemet e magazinimit do të mundësojnë që energjia e prodhuar gjatë orëve me diell të ruhet dhe të dërgohet në rrjet në periudhat kur kërkesa është më e lartë.
Kombinimi i kapaciteteve fotovoltaike me bateri synon të rrisë fleksibilitetin e projekteve dhe të ndihmojë në menaxhimin e prodhimit të ndryshueshëm të energjisë diellore.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Rumanisë, si dhe përfaqësues të sektorit energjetik dhe institucioneve financiare, përcjell Energy Monitor.
Projektet janë zhvilluar dhe ndërtuar me pjesëmarrjen e kompanive CJR Renewables, EnergoBit dhe LONGi Solar, ndërsa financimi është mbështetur nga BERZH dhe Raiffeisen Bank International.
Nofar Energy deklaroi se investimet në Iepurești dhe Ghimpați janë pjesë e strategjisë së saj për zhvillimin e projekteve të integruara të energjisë diellore dhe magazinimit në Rumani.
Me 315 MW kapacitet të ri të instaluar, dy parqet përbëjnë një nga projektet e rëndësishme të reja të energjisë diellore në tregun rumun, në një periudhë kur vendi po zgjeron kapacitetet e burimeve të ripërtëritshme.



