Home / Lajme / Tjera / Lëndët fosile mbulojnë rreth 81% të konsumit botëror të energjisë

Lëndët fosile mbulojnë rreth 81% të konsumit botëror të energjisë

Nafta, qymyri dhe gazi natyror vazhdojnë të dominojnë konsumin global të energjisë, duke përbërë së bashku rreth 81% të totalit, pavarësisht zgjerimit të shpejtë të burimeve të ripërtëritshme.

Të dhënat paraqiten në një material shpjegues të publikuar nga Al Jazeera më 11 tetor, i cili shqyrton burimet e energjisë në botë dhe ndikimin e ndërprerjeve të furnizimit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga media, nafta përbën 31,4% të konsumit botëror të energjisë, qymyri 25,9% dhe gazi natyror 23,5%. Së bashku, këto tri burime arrijnë në 80,8% të totalit. Pjesa tjetër mbulohet nga burime të tjera, përfshirë energjinë bërthamore dhe atë të ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.

Të dhënat tregojnë se rritja e energjisë diellore dhe të erës ende nuk e ka ndryshuar në mënyrë vendimtare strukturën e konsumit global. Sipas Energy Institute, edhe në vitin 2024 konsumi i lëndëve fosile u rrit, ndonëse energjia diellore dhe ajo e erës shënuan zgjerim të shpejtë. Kërkesa në rritje për energji vazhdon të mbështesë përdorimin e burimeve tradicionale.

Dominimi i lëndëve fosile ka rëndësi edhe për sigurinë energjetike. Prodhimi i naftës dhe gazit është i përqendruar në disa rajone të botës, ndaj konfliktet, dëmtimet e infrastrukturës dhe ndërprerjet e transportit mund të ndikojnë në furnizim dhe të përhapen në tregjet ndërkombëtare përmes çmimeve.

Përqendrimi i prodhimit ndryshon sipas burimit. Lindja e Mesme është rajoni kryesor për prodhimin e naftës, ndërsa Amerika e Veriut kryeson në prodhimin e gazit natyror, sipas materialit të Al Jazeera-s.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com